MENU
klinika

Annie Ernaux: Na detyruan, të zhvishemi...

Nobelistja e ardhshme vizitonte Shqipërinë socialiste

10.10.2022 - 19:12

       Me një “Nobel” tanimë në letërsi, shkrimtarja franceze Annie Eranaux, e njohur për angazhimin social dhe bindjet e majta, ka qenë pjesë e një grupi turistësh që kanë vizituar Shqipërinë komuniste në vitin 1975.

Madje, jo vetëm kaq, por falë imazheve që ka filmuar me një kamer “Super-8”, bashkëshorti i saj i ndjerë, ne kemi mundësi të shohim sot pamjet që nobelistja i vëzhgoi gjysmë shekulli më parë. Si për çudi, njëri nga djemtë e saj, kineast, i ka mbledhur të gjitha arkivat filmike të prindërve dhe ka realizuarnjë dokumentar, që e ka shkruar vetë nobelistja, Ernaux.

Kështu, në dokumentarin që u prezantua vitin e shkuar në festivalin e Kanës, që do të jetë në kinematë franceze në dhjetorin e ardhshëm, ne qëmtojmë edhe rreth 6 minuta nga përvoja e Annie Ernaux në Shqipërinë e mbyllur hoxhiane.

Shkrimtarja tregon plot hollësi. Që nga zgjedhja e këtij udhëtimi misterioz, te fakti që duhej të ndryshonte veshjen në aeroport: “Na detyruan, të ndryshojmë veshjet. Na zhveshën nga shenjat e dekadencës borgjeze. Gratë hoqën pantallonat dhe veshën fustanet” – tregon ajo, me zërin e saj, për vendin ku ende “peisazhet, nuk ishin çliruar nga dyndja e betonit”.

Çifti udhëton bashkë me 8 turistë të tjerë në Tiranë, Durrës, Butrint dhe nobelistja e ardhshme kalon kohën duke lexuar të vetmin roman që e ka gjetur të përkthyer në frengjisht: “Juga e bardhë” e Jakov Xoxës.

Ajo evokon qetësinë e qyteteve pa makina, shpjegon karakteristikat e regjimit shqiptar, dështimin për ndërtimin e njeriut të ri dhe pamundësinë për t’u takuar me njerëzit e zakonshëm ndërsa bënin plazh përpara hotelit “Adriatik”.

“Ne nuk e imagjinonim atëherë që nga të gjitha statujat e ngritura për lavdinë e regjimit, pas 20 vjetësh nuk do të mbetej asgjë”, – tregon Ernaux, e cila përshkraun udhëtimin në Shqipëri, krahas atyre në Bashkimin Sovietik dhe në Kilin e Salvador Aliendes.

 

Ky dokumentar, mund të gjendet “on line” edhe në faqen e tevevizionit franko-gjerman: ARTE.tv

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN