MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Pjesëza kujtimesh me poetin… Poetin e tokës!

13.10.2022 - 12:13

       Njohja

“I dashur Dritëro!

Letërprurësi është im atë, një fshatar me dy klasë shkollë, i cili kur lexon ndonjë nga poezitë e tua, zë e tund kokën. Po kur i lexova “Dy miqtë” e Gi dë Mopasanit, i rrodhën lotët…

Perëndia i dha dy djem, të cilët nuk mund të venë dot në shkollë, me gjithë rezultatet e shkëlqyera për arsye biografie. Unë i madhi, nuk kam nevojë për të, më mjafton puna apo bota e shahut, po për të voglin që ka mbaruar gjimnazin me të gjitha dhjeta, kjo është problem.

Im atë, që ka punuar tërë jetën nëpër këneta si eskavatorist, e nuk njeh shumë njerëz në këtë botë, mendon se vetëm ti mund t’ia zgjidhësh problemin…

E ndihmoftë Perëndia!”

Letra e shkruar këtu e nja tridhjetë vjet më parë, duhej bërë për nja njëzet minuta. Në këtë interval kohe, im atë duhej të vishte pantallonat dhe të vraponte të zinte trenin Lushnjë-Tiranë. E improvizoi këtë skenë me urgjencë. Më urdhëroi ta shkruaja ashtu papritur, i xhindosur, duke parë fytyrën e sterrosur të Mentorit, që nuk i kishte dalë shkolla me bashkëmoshatarët e vet. Si çdo gjimnazist i asaj periudhe, që mund të quhej dhe “Brezi i humbur” (vitet ‘85-90-të), Mentori nuk i duronte dot goditjet e jetës. Tashmë, unë isha argasur të mos e vrisja mendjen për mosdhënien e shkollës. Më duhej të mbaja me bukë shtëpinë, me punën në naftë në malet e Vlorës dhe të luaja shah kur më linin…

Nuk mund t’i them tim eti, se nuk ka kuptim të presë ndihmë nga një anëtar i Komitetit Qendror e ca më tepër kur i shkruaj unë, një punëtor i thjeshtë, e që nuk e njeh. Puna vështirësohet ca më tepër për këtë familje, që, veç biografisë së keqe, është e varfër deri në infinit, e duhet të mbahet thuajse vetëm me rrogën time. Nëna e sëmurë ndihet fajtore, se i ati është arratisur në ‘45-ën. Ishte një fshatar nga fshatrat e Kolonjës, që i përzuri Greqia me forcë, ashtu si kosovarët Serbia dhe që i terrorizuan edhe në dheun mëmë. Analfabet si çdo fshatar dhe as komunist e as ballist, u arratis 65-vjeç, duke lënë familjen për pesëdhjetë vjet në internim dhe mjerim të plotë.

“Kemi lojtur bashkë kur ishim fëmijë dhe me siguri më mban mend”, – tha im atë.

Ia jep vetë letrën Dritëroit, i cili është edhe nip në fshatin e tij dhe mbante nga nëna të njëjtin mbiemër si ne. Në fakt, thuajse i gjithë fshati mbante këtë mbiemër dhe mund t’i thoshim kushëri, po kjo nuk ishte e vërtetë. Më vonë, vetë Dritëroi më thërriste rregullisht e duke qeshur “Dajo”, sipas zakonit të atij që ishte nip në atë fshat…

Dritëroi e rrotullon dy a tri herë letrën nëpër duar dhe i thotë:

– Për këtë të letrës e do shkollën?

– Jo, – ia kthen im atë. – Ai është i çmendur dhe seç merret me ca figura prej druri…

– Mirë, – i tha Dritëroi, – do vij vetë në Lushnjë javën tjetër e të shohim çfarë mund të bëjmë…

Java kaloi në ankth, por Dritëroi nuk erdhi. Im atë, nën përshtypjen e mirë që i kishte shkaktuar letra e parë (duket i kish thënë diçka edhe Dritëroi), më urdhëroi të bëja letrën e dytë. Ajo qe vetëm pesë radhë:

“I nderuari Dritëro!

Im vëlla i ngjan një zogu që ka rënë nga pema dhe ka thyer krahun e i duhet ngjitur. Nuk e do shkollën për një kollare, po për të luftuar për jetën, me të njëjtin pasion siç i këndon zotrote”.

Letrën e çoi një miku im. Dritëroi e kish parë dy ditë më vonë.

I thashë tim eti: “Nëse ai nuk vjen brenda javës, unë jam i çmendur dhe ai nuk është poet”.

Kohë më vonë, ndoshta dhe nën përshtypjen e situatës, Dritëroi e përshkroi historinë në një poezi të vetën të titulluar “Kënga e zogut”, një strofë të së cilës e mbaj mend…

“Këndon një zog në gjeth të shtogut,

Por një njeri kërkon ta vrasë

Se dikur gjyshi i lig i zogut

Na paska bërë veç një glasë”.

Nga e marta deri të shtunë, të gjithë në shtëpi po prisnim me veshët ngritur. Të shtunën në mëngjes, im atë që kalonte çdo ditë në dyert e Komitetit të Partisë, në pritje dhe duke u lutur për shkollën e Mentorit, më zgjon nga gjumi duke më thënë:

– Dritëroi ka ardhur. Doli nga Komiteti i Partisë dhe po bën xhiro vetëm dhe i pashoqëruar në bulevard.

– Vrapo! – i thashë. – Unë po vij pas teje, të shkojmë e ta takojmë.

U vesha dhe shkova me vrap.

– E takova, – më tha im atë, kur po i hipte makinës për të ikur. – Më tha se tashmë ishte shumë vonë për të vajtur në shkollë… Vitin tjetër duhet të vish tek mua, por një muaj para se të dalin të drejtat e studimit. – E pasi kishte heshtur pak, përfundoi: – E thuaji të fala atij maskarait tënd…

Një vit më vonë trokas tek sekretarja e tij në Lidhjen e Shkrimtarëve. Më futi tek Dritëroi, të cilin nuk e kisha takuar kurrë fizikisht më parë. Pasi më sheh i heshtur për një minutë, më thotë:

– Domethënë ti je ai?!

– Po, – i përgjigjem.

– Në rregull. Hajde pimë kafe…

Zbresim të dy në kafenë e Lidhjes së Shkrimtarëve. Kjo ishte njohja dhe fillimi i një miqësie të veçantë, që zgjati për një çerek shekulli.

Nëpër ecejaket e kohës

Për të tretin vit radhazi, Mentori nuk shkoi në shkollë dhe unë përsëri jam me Dritëroin… Jemi bashkë edhe me Preç Zogajn, në Vlorë, ku ai po pushon. Kemi dy orë që flasim ashtu me ndrojtje, ndërkaq ai psherëtin dhe thotë: “Shqipëria është e izoluar pas viteve ‘70-të. Prishja me Kinën ia mbylli përfundimisht çdo dritare, qoftë me Lindjen, qoftë me Perëndimin. E bashkë me të, u mbyll thuajse edhe rruga e librit, por dhe e dijeve që vijnë prej tij. Në të vërtetë, ne jemi një farë “kulaku i kampit socialist”. U çojmë tre kile domate ose patate dhe ata na japin një vagon të vjetër e të prishur treni, a ndonjë hekurishte tjetër. Po çojmë edhe ca krom… Për “kulakët e kampit” duket kanë caktuar Çekinë dhe Gjermaninë Lindore”.

Pastaj buzëqesh hidhur dhe vazhdon: “Eh si do të vazhdoj fati ynë, pasi të vdesin edhe këta pleqtë e vjetër të byrosë… Izolimi ka futur në skenë ca 40-vjeçarë, shumica e të cilëve janë gomerë. Gomerë të pakulturuar…”.


(Në shtëpinë time, gusht 1999)

Më pas, siç bënte shpesh kur nuk donte të zgjaste komentin, përfundoi: “Ja këta p.sh. bëjnë filma me partizanin Blendi. E ku ka pasur Blendi gjatë Luftës së Dytë?! Pale sikur t’u thuash, se nuk ka pasur bashkëpunim mes italianëve dhe ballistëve. Kjo është më shumë se sa mban kandari…”.

E shikoj Dritëroin me habi dhe përpiqem të kuptoj se nga i buron ajo “trimëri” të foluri. Në të vërtetë, në gjithë këtë periudhë 1985-’90-të, kisha kohë të vëreja sjellje të çuditshme të tij. Një ditë, në Lidhjen e Shkrimtarëve, në një kafe, në një vend më të hapur dhe me më shumë njerëz sesa ai në Vlorë, i nxehur nga “tufëzimi”, papritur i shpërthyen xhindet dhe tha: “E dini ju ç’është Atdheu? Atdheu është pula, rosa, mullari i barit dhe gardhi që rrethon shtëpinë tënde. Pa to nuk ke Atdhe…”.

E shikoj në heshtje dhe më kujtohet tregimi i shkurtër i Mopasanit “Xha Miloni”. Prusianët kanë pushtuar Francën dhe plakut 80-vjeçar, që merret me fermën e tij, i duhet të presë ca vizitorë të çuditshëm. Koloneli prusian i thotë se kanë humbur dymbëdhjetë ushtarë dhe nuk dihet kush i ka vrarë…

“Unë i vrava, – u thotë plaku. – Nja dy i vrava se po grabisnin barin, nja dy se po prishnin vijën e ujit, kurse dy të tjerë se po vidhnin afër shtëpisë”.

Kur koloneli i tha, se për këtë gjë do ta pushkatonin, ai iu përgjigj: “Epo mirë, se mos u kërkova gjë mëshirë. Ç’donin në shtëpinë time ata?!”

Në të vërtetë, tregimet e Dritëroit të asaj perjudhe, që nuk mbajnë aspak erë nga socializmi, janë të gjithë të kësaj shtambe alla Mopasan.

“Martesa e papritur e Pasho Velçanit” dhe “Nipi plëngprishës”, botuar të dyja në revistën “Nëntori”, shkaktuan rrudhje të mëdha buzësh në udhëheqjen e kohës.

Ia lexoj poezitë, ku më shumë më pëlqen në ciklet e dashurisë dhe të vdekjes… Në romane ka më pak për të thënë, sipas meje, dhe këto ia them dhe atij vetë. Megjithëse, besoj se “Arka e djallit” do t’i mbesë për një kohë të gjatë. Sa i përket tregimeve të shkurtra, për mua do të jetë “Agai” i letërsisë sonë. Aty duket se nuk e ka të barabartin…

Dritëroi tashmë është në një rrugë ku s’para dëgjon më ç’i thonë a ç’duhet të thotë.

Një pasdite në Lushnjë, kur po hanim bashkë me udhëheqjen lokale (më mori me vete, pavarësisht se unë quhem me “biografi të keqe” dhe këtë cen ma dinë të gjithë), i bërtet Sekretarit të Partisë:

– E pse nuk ja hape ekspozitën kësaj vajzës?

(Lindita Arapi quhej. Edhe ajo kishte familje të persekutuar).

– Kishte bërë dhi me një bri në pikturë?!

– Po pse briri i saj do ta dëmtojë socializmin?!”

Dhe më pas vazhdoi duke thënë gjëra të tmerrshme…

– E gjithë kjo historia jonë e vuajtur së fundmi, i ka rrënjët tek ai krimineli i madh me emrin Stalin.

Mandej mbajti një ligjëratë të frikshme për Stalinin. E shikoja në heshtje, ashtu si gjithë të tjerët, dhe mendoja me vete: “Kushedi se sa letra anonime do t’i venë. Po a e zë dot më plumbi tani?!”

Mbetej të justifikoheshim, se Hoxha kishte vdekur dhe Ramizi ishte i butë dhe i pafuqishëm për të prerë kokat e dy autoriteteve më të mëdha që kishin ngelur: atë të Ismailit dhe Dritëroit.

Plaku Dritëro kishte filluar të bëhej gjithnjë e më tepër çapraz. Erdhi në Lushnjë, me lutjen time, për t’i hapur ekspozitën piktorit të talentuar Besim Golemit, që kishte gjyshin të pushkatuar. Për dy orë rresht priti në këmbë, i vetëm, pasi partia lokale nuk vinte… Më në fund ata erdhën. Pas ekspozitës, mblidhen të gjithë për të ngrënë tek “Blerimi”, ku, pas një heshtjeje varri, Dritëroi i kthehet Sekretarit të Partisë së Rrethit, duke i thënë:

“Dëgjo, ti budalla i mjerë! Unë jam anëtar i Komitetit Central dhe ti Sekretar i Partisë. Unë bëj vjersha edhe për Carin, ashtu siç bënte herë pas here edhe Tolstoi për të marrë lejekalimin. Ndërkaq, nesër do të ketë një mut parti dhe një mut Komitet Central, prandaj të paktën përpiqu të bëhesh burrë i mirë, që të të kujtojnë me respekt njerëzia”.

Mentori nuk shkoi në shkollë dhe e çuan me përdhunë ushtar. Dritëroin nuk e dëgjoi as partia e rrethit në Lushnjë dhe as ajo në Kolonjë, nga kemi origjinën.

Ai ndihet i pafuqishëm… Ka ardhur disa herë në Lushnjë dhe disa herë në Kolonjë për këtë punë, por më kot…

Një ditë të ftohtë dimri, në periferi të Lushnjës, atje ku banonim, në një lagje të mjerë, u dëgjua një trokitje dere… Prindërit, pa zjarr, kishin kohë që ishin shtrirë për të fjetur. Derën e hapa unë, kur shoh i tronditur para meje Dritëroin dhe Nasi Lerën, që në atë kohë ishte Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve.

– U thashë atyre tutkunëve të rrethit, se do shkoj nga Shpëtimi…

Vij vërdallë si qen i zgjebosur, se në shtëpi s’ka asgjë për ta qerasur dhe ca më pak akoma, për t’i shtruar darkë. Pleqtë e mi, të shushatur dhe duke u dridhur nga tmerri, më vështrojnë në sy. Kërkoj të iki vjedhurazi nëpër komshinj për të kërkuar borxhe. Borxh për ushqim, borxh për cigare… por pallati është i gjithë i vdekur. Rrojnë të gjithë në mjerim. Dhjetë a pesëmbëdhjetë minuta më vonë, pas një kërkimi të sikletshëm, por pa rezultat, ç’të shoh… Dritëroi e kishte marrë vetë situatën në dorë.

– Kam unë cigare, – tha, – e mos kërko kot…

E vazhdoi të “zihej” me tim atë, duke vënë bast në ishte i Hamitit apo i Zenelit mulliri i fshatit, të cilin dukej se e njihnin nga fëmijëria e tyre. Pleqtë e mi, se ku kanë gjetur 200 gram raki, një copë të vogël djathi dhe një kile arra, që nëna i ruante gjithë vitin si gjë të çmuar në një qese, vetëm për t’i festuar ditëlindjen Mentorit. Kaq ishte pasuria e shtëpisë…

Dhjetë minuta më vonë shtëpia buçet nga të kënduarit. Dritëroi me tim atë kanë filluar të këndojnë këngë të zonës së tyre, kurse Nasi Lera është i detyruar të mbajë iso bashkë me mua. Të nesërmen ishte marrë vesh kudo, se Dritëroi kish vajtur në shtëpinë e armikut dhe kish kënduar.

Në të vërtetë, kjo ishte ndihma e vetme që mund t’i jepte shtëpisë, e cila duhej t’i vuante të tëra: biografinë, mungesën e shkollës së djemve dhe mjerimin ekonomik.

‘90-ta e më pas…

Plakun Dritëro po e kryqëzojnë. Është dita e fundit e ekzistencës “de fakto” të Lidhjes së Shkrimtarëve. Po diskutohen kandidatët për deputetë të Lidhjes për zgjedhjet e ardhshme pluraliste. Janë si ato të organizatave të tjera, që Ramizi do t’i quajë pluripartiake. Veçse nuk ka sukses… Gjithkush e di se loja po mbyllet dhe të futesh në varkën e të mbyturve nuk ka vlerë.

I strukur aty nga fundi i sallës plot e përplot, dëgjoj. Kam ardhur nga Lushnja të gjej një biletë për t’ia mbathur jashtë vendit si të tjerët. Në verën e vitit ‘90, jemi thuajse pa bukë në shtëpi. Puna ime u mbyll. Mentori do lekë, se së fundmi ia kanë nxjerrë shkollën pas 6 vjetësh. Prindërit detyrohen të mbledhin “zhuka”, një lloj luleje që shitet për eksport dhe shteti kërkon dollarët e fundit…

Dritëroit i janë vërsulur thuajse të gjithë. Duhet regjistruar emri te “kontribuesit e rinj” të demokracisë. Ai i dëgjon i tronditur, por pa bërtitur. Thotë ndonjëherë me zë të ulët kundër turmës: “Na mo ja, mja…”. I del nga shpirti kjo lloj gjuhe të foluri. Disa prej sulmuesve i njoh. Dritëroi i ka ndihmuar për shkollë apo punë, po kjo nuk i pengon ta sulmojnë. U duket preja më e lehtë, më me vlerë dhe më e mundshme në këto kohë të reja, për t’u regjistruar ata vetë në librin e patriotëve.

Dritëroi përgjigjet vetëm pas ditësh, në “Drita”, që ishte organ i Lidhjes. I përgjigjet me emër vetëm Sabri Godos. Ishte një nga ato perlat e tij në publicistikë. Unë e di legjendën, që ia atribuojnë si të thënë prej Ismailit: “Kur shkruan Dritëroi në gazetë, më mirë të rrish urtë nja tri ditë”.

Për mua, pas mjeshtrave të viteve 30-të, ai është pa dyshim gazetari më i mirë që kish vendi.

Pasoi heshtje për ca kohë, por ishte e qartë që për të kishin ardhur kohë të vështira. Demokracia ka fituar. Është një kopje sa komike, aq edhe tragjike e komunizmit të vjetër. Dritëroi duhej të futej në listën e armiqve, ashtu siç u gjetën në sektorët e tjerë… njëlloj siç i gjenin komunistët e vjetër pas ‘45-ës.

Një ditë, kur ende nuk kisha ikur jashtë dhe punoja si ndihmës i Berishës (me të cilin më kish prezantuar Preçi ) e që kish rënë “në dashuri” me mua, duke më mbajtur në Tiranë, më vjen te PD-ja një nga sulmuesit… E kish akuzuar Dritëronë si diktator në mbledhjen e fundit me dyer të hapura të Lidhjes. E kisha dëgjuar dhe e dija nga Visari (Zhiti), që ishte nga recenzentët që dikur e kishin “ndihmuar” për ta futur në burg. Te PD-ja erdhi me një artikull të gjatë, ku shkruante pse kësaj radhe duhej futur në burg Dritëroi… E përzura, se nuk kisha fuqi t’i hyja me shkelma…

Në fakt, Dritëroi ishte pre e mirë për sulmuesit. Ai vetë ishte mbyllur në shtëpi i dëshpëruar. Shkruan poezi. Janë të hidhura, shumë të hidhura. Ndoshta pa atë teknikën e lartë si dikur, po janë të ashpra si tregimet e tij. Dhe ndoshta nga më të bukurat, pavarësisht teknikës që nuk është më e dikurshmja. Plakut s’i bën përshtypje asgjë…

Kanë kaluar dy vjet. Aty nga tetori i 92-it ndodhem në Gjermani, ku punoj në një spital, luaj shah dhe jam trajner i Landit të Saarlandës. Papritur bie telefoni dhe miku im Zhupa më thotë se është në Gjermani bashkë me Dritëroin dhe disa shkrimtarë të tjerë…

“Si është ai?” – e pyes.

“Keq, – thotë Zhupa. – Parmbrëmë, ndoshta dhe pak i trullosur nga rakia, ka qenë i dëshpëruar. Keq”, – thotë dhe nuk vazhdon më tej.

E kuptoj që e kanë marrë në delegacion, për t’ua ekspozuar të tjerëve si komunistin në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve, apo si përfaqësuesin më të spikatur të organizatës famëkeqe. Ai, me instiktin e shkrimtarit dhe fshatarit, e di mirë këtë gjë, po nuk flet. I biri ka ikur refugjat si të tjerët. Lekë nuk ka, për më tepër duhet ta takojë të birin në një nga ato qytetet ku ai rri

Vrapoj te mikja ime e ngushtë, që është Drejtoresha e koncernit spitalor. I them të lërë çdo gjë. Marrim makinën dhe vrapojmë në Frankfurt. I gjejmë të gjithë në një klub të varfër në periferi. Dritëroi rri i murosur dhe pa fjalë. Përkundrejt qesëndisë së të tjerëve (janë një grup goxha i njohur shkrimtarësh…) shkoj te Dritëroi, i puth dorën dhe bëj sikur nuk i dëgjoj pëshpërimat, teksa i them Sadijes: “Ruaj Dritëroin, se nga këta asnjë nuk ka vlerë…”.

Paguaj kafetë dhe i them Dritëroit: “Çohu e ikim!”. “Ku?” – thotë. “Të takojmë djalin…”.

Ai gjendet 300 km larg dhe unë pres me durim që Dritëroin ta kthej prapë nga e mora. Dëgjon Moxartin gjithë rrugës dhe nuk flet, por kënaqem kur e shoh disi të lehtësuar.

Kalon ende kohë. Aty nga ‘93-shi, kur kthehem në Shqipëri dhe hap një gazetë, më shumë me lutjen e miqve, sepse unë nuk jam gazetar dhe as më ka shkuar mendja të bëj këtë zanat, Dritëroi zë e shkruan aty rregullisht.

Kam fat në letrat që shkruaj për ndihmë. Kërkesës për të shkruar në gazetë, i përgjigjet dhe Ismaili, që, për një arsye pak më të ndryshme se e Dritëroit, rri po i izoluar në Paris dhe nuk flet fare për dy vjet. Më përgjigjet brenda dy ditësh dhe, për tre vjet rresht, pa marrë asnjë lekë prej gazetës, shkruan dhe ai rregullisht. Janë bashkë me Dritëroin “nunët” e saj.

Dritëroi fiton prapë drejtpeshimin. Artikujt e tij janë më të lexuarit. PS-ja e ndjen që ai është fuqia e saj. Merr emrin “Patriarku i socialistëve”, që nga çasti që ia venë i ngelet edhe sot e kësaj dite. Nuk i ndërron bindjet. Pyetjes së një kolegu, gjatë një interviste, se pse nuk e këmbeu “rrobën “ siç bënë të tjerët, i përgjigjet thjesht: “Cjapi nuk bëhet dot dhi, mor bir!”.

Nga vitet e fundit…

Është aty nga fundi i vitit 2000 dhe plakun e shtrojnë me urgjencë në senatorium. Mentori i lutet presidentit Mejdani, me të cilin punon për të marrë disa ditë leje, që të regjistrojë sa mund kujtime nga të Dritëroit.

Por plaku ia hedh prapë sëmundjes…

Ca ditë më vonë, më lutet Spiro Dede që t’i vemë në shtëpi. Shkojmë bashkë me Mentorin dhe e gjejmë shtrirë në krevat. Na përshendet dhe pastaj ndodh një çudi e vogël. Plaku merr një libër nga rafti dhe fillon të lexojë sikur të ishte në vetmi. Pason një heshtje dy-tre minutëshe, ku ne vizitorët nuk dimë ç’të bëjmë. Më në fund, ai e la librin mënjanë dhe tha: “Ky libër e ka titullin “Midis mutit dhe të pëgërës”, – dhe vazhdoi. – Autori përshkruan jetën e Jevtushenkos (një nga poetët e mëdhenj të shekullit të njëzet). Jevtushenko kishte jetuar në kohën e Stalinit, Hrushovit, Kastros, Maos etj. etj… Regjimi e përdorte Jevtushenkon dhe ky i fundit e përdorte regjimin. Të dy e përdornin njëri-tjetrin, por Jevtushenko mbijetoi më shumë se regjimi…”.

Dhe pas një heshtjeje, plaku tha:

“Ja të tilla mutra kërkoi të prodhonte socializmi, tëpkë si mua dhe Ismailin”.

Mandej, si çdo fshatar që e ruan veten tha:

“Po prapë unë seç them ndonjë gjë më shumë nga këta…”.

Plaku e kish thyer heshtjen në Kongresin e Dhjetë të socialistëve, duke e bërë sallën të mallkojë e të ulërijë kundër tij, po prapë e kishte mundur sallën me instinktin e fuqishëm të shkrimtarit dhe fshatarit bashkë. Ishte një instinkt që Edi Rama ia vuri në dukje në mënyrë të mrekullueshme në fjalimin që i bëri në ditën e vdekjes. Në thelb, m’u duk sikur në fjalët e mësipërme kishte shprehur dilemat e rënda që i mundonin jetën.

(Në shtëpinë e tij, nëntor 2016)

Më kujtohet dita e fundit e përcjelljes në sallën e Pallatit të Kongreseve. E dija që do të ikte shpejt. Para dy muajsh i kisha vajtur së bashku me Mentorin në shtëpi. Ishte tretur, çka e ndjeva kur vura dorën në kurrizin e tij për ta përqafuar.

“Po i ngjan përherë e më tepër Rizait, babait të tij”, – po më thoshte i biri.

E shikoj tani në arkmort dhe po dëgjoj fjalimin e Edi Ramës, i cili më lutet me shenja që të flas edhe unë. Nuk mundem. Jo vetëm se nuk i mbaj dot lotët, por edhe sepse nuk di të flas para turmës. I pamëshirshëm siç është në raste të tilla, Rama thotë se e detyron vetëm detyra që të rrijë në një sallë me shumë prej bashkëfolësve apo dëgjuesve, të cilët e kanë sharë, lëvduar apo përfillur, pa e kuptuar realisht Dritëroin.

Duke perifrazuar Ramën mund të thoshim, se Dritëroi kishte veshur një rrobë të dyfishtë. Atë të qytetarit apo të pushtetarit të dikurshëm, e cila e pengonte për ta parë jetën me atë kënaqesinë e epërme me të cilën Naimi i këndon vendit të vet.

Për mua Dritëroi ishte një pjesë e racës sonë, me të mirat e të këqijat e saj, është ajo pjesë që realisht na përfaqëson. Më gjithë vobektësinë time për ta klasifikuar atë dhe rolin e tij në letrat shqipe, i lejoj vetes të bëj këtë dallim:

Dritëroi është përfaqësuesi më i drejtpërdrejtë dhe më i madhi i racës që rrjedh prej poezisë së Naimit. Shumë njerëz, që e njohin më mirë se unë letërsinë, mund të vënë përpara tij Ismailin, Lasgushin apo edhe të tjerë. Mundet… dhe kanë të drejtë, por nëse të mëdhenjtë që përmenda më lart, do të shërbejnë që kombi apo më thjeshtë, njeriu, t’i veshë apo t’i përdorë si stoli vetëm në ditët e shënuara, Dritëroi do të rrijë aty në të përditshmen tonë, si diçka që na duhet në këtë të përditshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Agolli, poeti i tokës, njeriut dhe... vdekjes.

“Ç’t’i bësh! S’më rrihet pa shkrepur një varg”

Agolli mbi varrin e 'Zogut të fundit të liqerit'

‘Kur gjeniu nderon gjeniun’

Gazetari rrëfen "shndërrimin" e PPSH-së

“Ç’bëmë kështu? Vramë veten me duart tona”


Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale