MENU
klinika

Formula 1

Verstappen triumfon në Meksikë dhe thyen rekordin

31.10.2022 - 00:07

Piloti holandez i Red Bull, Max Verstappen, fitoi sot garën e Cmimit të Madh të Meksikës në Formula 1. Ky është suksesi i 14-të sezonal për kampionin e botës, që shkruan historinë e këtij sporti.

Verstappen bëhet piloti i parë në Formula 1 që fiton 14 gara në një sezon, duke “parakaluar” dy legjenda si Michael Schumacher e Sebastian Vettel (nga 13 fitore secili).

Në vendin e dytë u rendit britaniku i Mercedes, Lewis Hamilton. Ndërkohë që, podiumi kompletohet edhe me meksikanin Sergio Perez, që nuk arriti të fitojë dot edhe pse garonte në shtëpinë e tij. Një garë për t’u harruar kjo për Ferrari, në vendet 5-6 me dy pilotët e saj, respektivisht Carlos Sainz e Charles Leclerc (i katërti doli George Russell me Mercedes).

Për sa i përket garës, ajo nuk pati shumë emocione, pasi u dominua nga Verstappen. Edhe pse pilotët përdorën strategji të ndryshme gomash, kjo nuk ndikoi shumë në rezultatin final, pasi holandezi bëri një garë të qetë, pa rrezikuar shumë. Hamilton shpresoi te fitorja e parë sezonale, por e pati të pamundur të rivalizojë, ashtu sikurse Ferrari, që ishte në hije.