MENU
klinika

Gjuha shqipe...

Vlugu i politikës (shqiptare) dhe kryengritja e injorantëve (shqiptarë)

10.10.2022 - 14:49

       Përditë, mediet e panumërta, shkruajnë një shqipe sipas (“dëshirës naive”) njohurive të munguara… Askush, askund, as e vret mendjen se, me këtë padituri në gjendje të lirë, dëmtohet deri në asgjësim, një gjuhë! Një gjuhë e shkruar me gjak… dhe Gjuha është shpirti i një kombi, ndërsa ata që e shpërfillin me ose pa dijeni, janë agresorët më gjakftohtë. Ata më të rrezikshmit! Siç është vetëm injoranca… 

Në jubileun e Akademisë së Shkencave e Shqipërisë, themeluar 10 tetorin e vitit 1972, si një qendër elitare të zhvillimit të kërkimit shkencor, aktivitetet do të vijojnë për tri ditë: nga 9 – 11 tetor 2022.

Dita e sotme shënoi nisi me ceremoninë e nderimit pranë busteve të dy akademikëve themelues: Aleks Buda dhe Eqrem Çabej dhe me pas, Konferenca jubilare kushtuar 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave, në sallën plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

Fjalën e mirëseardhjes e mbajti kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla. Më pas, fjala e rastit e akad. Skënder Gjinushit, si dhe fjalimet përshëndetëse të akad. Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ministres Kushi, të presidentit të ALLEA-s, akad. Antonio Loprieno si dhe e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Rama, theksoi se të gjithë akademikët pavarësisht bindjeve, simpative nën çatinë e Akademisë të ndjehen pjesë e së njëjtës mënjanësi.

Sakaq, ai ngriti një shqetësim lidhur me “shpërdorimin” e gjuhës shqipe. Sipas Ramës, historia dhe gjuha shqipe janë të kërcënuara si kurrë më parë, nga një injorancë e pashembullt.

Fjala e plotë, e Kryeministrit:

Më lejoni t’u drejtohem me disa fjalë, si i vetmi në këtë sallë pa asnjë titull shkencor.

I nderuar kryetar i Akademisë së Shkencave,

I nderuar president i Federatës Europiane të Akademive të Shkencave dhe Arteve,

Të nderuar pjesëmarrës,

“Për çdo njeri që merret me shkencë, termi “akademi” ka një domethënie të madhe. Për ne, akademia ka qenë ëndërr. Ajo materializonte dëshirën e rilindësve për më tepër dituri dhe institucione studimore të së ardhmes”.

Këto janë fjalët e njërit prej themeluesve të akademisë suaj, profesorit të paharruar Aleks Buda. Si një institucion i ngritur mbi vlerat e krijuara nga akademia e re e Voskopojës, nga programet e rilindësve, nga idetë e Nolit, Lumo Skëndos, Ndre Mjedës për zhvillimin e mendimit kritik dhe atij shkencor, Akademia edhe në atë kohë aq të zymtë në aspektin e lirisë, qëndronte sidoqoftë si mënjanë nga ndikimi politiko-shoqëror i vendit dhe një ndër episodet që do doja të kujtoja këtu para jush është fjalimi i lamtumirës së Aleks Budës në varrimin e gjuhëtarit Selman Riza i cili, asokohe, ishte i dëbuar nga Instituti i Histori-Gjuhësisë dhe i lënë në harresë diku në një muze periferie në Berat, derisa u nda nga jeta. Thuhet se ky akt i Aleks Budës si dhe prania në varrimin e gjuhëtarit e një sërë akademikësh të shquar të asaj kohe bëri bujë qoftë në Institut, e qoftë në mjedisin politik, por qëndrimi i profesor Budës në nderim të gjuhëtarit nuk ishte një sfidë ndaj regjimit, por ishte pikërisht një shprehje e mënjanësisë së Akademisë në funksion të nderimit të dijes, të nderimit të profesionalizmit, të nderimit të rrugës së shkencës, një nderim për një punë kolosale, siç ishte puna e Selman Rizës kushtuar vendit, kushtuar kombit, kushtuar shqiptarëve dhe një nderim nga vetë kryetari i Akademisë së Shkencave.

Para ’90 ishte koha kur liria ishte e kufizuar dhe kur hapësirat dhe mundësitë e njerëzve të shkencës ishin tejet të ngushta, por krahasimi mes para dhe pas ’90, e bënë pas ’90 të duket jo mirë, për ta thënë me fjalë të buta, përballë gjithë atyre punëve, veprave dhe figurave.

Kaq e vërtetë është kjo, të paktën në këndvështrimin tim, saqë t’iu them të drejtën, kur vizitova Akademinë e Shkencave pas ’90 dhe dëgjoja ato kërkëllitjet e parketit të vjetër, më dukej sikur ishte Eqerem Çabej që rrotullohej në varr nga gjendja e dëshpëruar e atij institucioni.

Një institucion që përfaqësoi dhe mbrojti me forcë interesin e lartë kombëtar të gjuhës shqipe. Nëse sot ne kemi një gjuhë të unifikuar dhe një gjuhë të shpëtuar, kjo i detyrohet në radhë të parë akademikëve të asaj kohe dhe asaj Akademie Shkencash që sot është në një proces për tu rikthyer në lartësinë dhe vendin që i takon. Debatet e mëdha që pasuan pas rënies së komunizmit në ballafaqimin me vendet e tjera të rajonit, por edhe me historinë e përbashkët të Europës, ne nuk do mundnim t’i bënim dot me argumentet shkencorë që disponojmë nëse nuk do të na i kishin lënë trashëgimi themeluesit e Akademisë së Shkencave. Nëse nuk do të kishte ekzistuar Eqerem Çabej, Aleks Buda dhe një sërë figurash të tjera, ne do të ishim krejtësisht të paarmatosur në të gjithë rrjedhën e debatit të hapur tanimë mes vendeve për prejardhjen e tyre, për gjuhën e tyre, për historinë e tyre dhe kështu me radhë.

Çfarë historie do të mund të shkruanim ne, sot që kemi marrë përsipër ta bëjmë sigurisht, me mendjet dhe duart e kësaj Akademie Shkencash dhe me mbështetjen e qeverisë nëse sot në këtë Akademi nuk do të ishin disa, për fat për të mirë, prej nxënësve të atyre kolosëve të mëdhenj si profesor Paskali apo profesor Pëllumbi? Asgjë!

Sigurisht që detyra e këtij institucioni dhe përgjegjësia e madhe kombëtare e këtij institucioni nuk është vetëm mbajtja nën kontroll e të shkuarës, në funksion të themeleve të shtëpisë sonë të përbashkët dhe të garantimit të kësaj shtëpie nga çdo tërmet dhe stuhi e natyrës politike apo e natyrës akademike në atë që siç thashë, është një debat i hapur dhe i vazhdueshëm në një shoqëri të hapur, në një proces ku ne tanimë nuk jemi të mbyllur e të izoluar dhe mund të flasim me vete, mund t’i themi vetes çfarë të duam, por çuditërisht nga monologu i të shkuarës ne kemi shumë më tepër argumente sot për tu përballur me botën si shqiptarë, sesa nga dialogu që pasoi rrëmujshëm dhe që e shkatërroi komplet Akademinë e Shkencave, sigurisht me dorën e politikës e cila ndërhyri vandalisht për shpërbërjen e të gjitha strukturave të Akademisë së Shkencave dhe për braktisjen e të gjithë atij rezervuari burimesh njerëzore që ishin mbase pjesa më e çmuar e trashëgimisë të së shkuarës. U ngatërrua sistemi i vjetër me njerëzit që flisnin me zërin e shkencës.

Faktikisht, sot ne jemi në kushtet ku mund të themi se falë reformës së vitit 2019, e cila u organizua në një ndërveprim të udhëhequr nga vetë Akademia e Shkencave për hir të vërtetës dhe më lejoni ta them, edhe kjo është përsëri në vazhdën e asaj që po përpiqem të them deri tani, në lidershipin e Skënder Gjinushit, imagjinojeni vet tani se sa domethënëse është kjo.

Përsëri duhet dikush i asaj kohe akademike që të mund të garantojë këtë kohë kaotike me shpresën që do të kemi dhe ne kohën tonë akademike. Faktikisht sot Akademia nga një vend i pashpresë përshpirtjes, ku mesa më kujtohet mbledhjet më të rëndësishme ishin ato për t’i dhënë lamtumirën ndonjërit që ikte në botën tjetër, është kthyer në një hapësirë ku po mbillen fidanët e të nesërmes. Faktikisht sot ka një hapje të munguar për shumë vite, jo vetëm për të krijuar kushtet që akademikët e këtij vendi, pavarësisht bindjeve, simpative, rreshtimeve të tyre nën çatinë e Akademisë të ndihen pjesë e së njëjtës mënjanësi siç ndiheshin dhe siç silleshin ata të kohës së anësisë ekstreme, por edhe për akademikët shqiptarë të një gjenerate tjetër, të gjeneratës së emigracionit, akademikët shqiptarë që bëjnë sukses mbresëlënës nëpër botë edhe që deri kur reforma e 2019 mori udhë, ishin tërësisht të harruar dhe të braktisur sikur nuk ekzistonin.

Para pak ditësh u mbajt në Tiranë një kongres i dytë ndërkombëtar i nanoteknologjisë, diçka e pakonceptueshme vetëm pak vite më parë, diçka e paimagjinueshme para reformës së 2019 me pjesëmarrjen e instituteve prestigjioze të teknologjisë nga 25 shtete në një diskutim i cili bëhej në Shqipëri, por që nuk e linte jashtë shkencën dhe nuk i linte jashtë shkencëtarët shqiptar, jo thjesht si mikpritës, por edhe si pjesë e respektuar e atij komuniteti.

Sot ne jemi në kushtet kur kemi ri ngritur një qendër për botimet enciklopedike albanologjike e cila drejton një proces të ndërlikuar të hartimit të tre botimeve madhore me mbështetjen e qeverisë dhe në bashkëpunim edhe me qeverinë e Kosovës për gjuhën dhe për kulturën. Enciklopedia Shqiptare, Historia e Shqiptarëve dhe Fjalor i Madh i Gjuhës Shqipe. Janë tre sfida të mëdha në tre drejtime ku Shqipëria, ku jo vetëm shteti ynë, por kombi ynë janë të kërcënuar. Është e kërcënuar historia e shqiptarëve nga një injorancë dhe nga një arrogancë e pashembullt që për shumë vite e ka kthyer mënjanësin e Akademisë së Shkencave në një territor anësish politike dhe në një arenë ekstremizmash që gjejnë rrugë për shkak se bota e informacionit dhe e komunikimit është një botë që nuk ka respekt për asnjë hierarki të dijes, e për këtë arsye ne jemi akoma sot në kushtet kur është e pasigurt nëse mundet apo jo ta shkruajmë një histori të shqiptarëve që të jetë e të gjithë shqiptarëve e të cilës t’i referohen shqiptarët brez pas brezi, duke sigurisht e pasuruar, por jo duke u ndarë për ta kontestuar.

Ashtu sikundër sot gjuha shqipe është e kërcënuar si asnjëherë me parë. Gjithë ato që thuhen dhe gjithë ato që ndërmerren kundër gjuhës shqipe në rendin e pavërtete akademik, pseudo-akademikë në fakt, janë vetëm maja e një ajsbergu që po e gërryen gjuhën shqipe nga poshtë përmes shpërdorimit total të saj në një botë komunikimi ku askush më nuk e ka mendjen sa saktë shkruhen fjalët, por e ka mendjen që të bëjë “sent” sa më shpejt. Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe duhet të jetë një gur themeli për të përforcuar atë themel të jashtëzakonshëm që vendosën etërit themelues të Akademisë së Shkencave. Unë besoj që gjuha e unifikuar shqipe është një nga pasuritë më të mëdha të shqiptarëve dhe një nga ato thesare që askush nuk duhet lejuar t’i prekë dhe t’i shpërdorojë.

Për ta mbyllur, dëshiroj të them se ne sot jemi shumë larg asaj që mund të ishim në rast se do ishte garantuar vijimësia e Akademisë së Shkencave dhe në rast se mes të djeshmes dhe të sotmes, ose më saktë të aktualitetit në të cilit flasim, nuk do të kishte hyrë në mes një e sotme ku vulgu i politikës dhe kryengritja e injorantëve nuk do të kishin bërë gjithë atë kasaphanë që bën me gjithë rrjetin e dijes dhe me gjithë infrastrukturën e atij rrjeti të dijes.

Dikur Akademia e Shkencave ishte vendi ku garantoheshin studime dhe projekte me një rëndësi madhore në të gjitha fushat e zhvillimit. Nuk është më sot, sepse nuk u lejua të jetë dhe ndërkohë që është fakt, se ne jo vetëm që nuk patëm vëmendjen dhe mirësinë në gjithë këto dekada të mendojmë realisht për vijimësinë, jo vetëm goditëm me themeli gjithë ngrehinën e shkencës dhe vatrën e saj kryesore, Akademinë e Shkencave, por mbetëm tërësisht jashtë rrugëve të ndërveprimit dhe bashkëpunimit me Europën për të cilën flasim përditë.

Bëmë një bilanc përpara pak ditësh me ministren e Arsimit. Aksesi i Shqipërisë përmes universiteteve dhe natyrisht në mungesë të Akademisë në të gjithë vitet e shkuara në programin “Horizon 2020” ishte 8% . Shqipëria ka marrë 8 %, vetëm 8% financim të asaj që mund të merrte. Sot jemi në vitin e parë të programit të ri dhe sot jemi 38% në vitin e parë. Universitetet kanë marrë, bota akademike ka marrë për kërkimin shkencor falë ndërveprimit dhe falë edhe fillimit të një lëvizje në drejtimin e duhur, ku natyrisht lidershipi i Akademisë së Shkencave ka rolin e vet, 2.1 milionë euro, që sipas gjithë parashikimeve më modeste mund të jenë 20 milionë pa asnjë frikë në 7 vjeçarin e programit dhe mund të bëhen edhe më shumë. Mund të bëhen edhe më shumë nëse ne do të dimë të bashkohemi mënjanësisht për shkencën dhe kërkimin shkencor dhe t’i lëmë anësitë jashtë perimetri të shkencës dhe kërkimit shkencor, ku ka kaq shumë territor për t’u kacafytur sepse brenda këtij perimetri jo vetëm mbrohet e shkuara, jo vetëm mbrohet historia, jo vetëm mbrohet gjuha, jo vetëm mbrohet kultura, jo vetëm mbrohet etnosi ynë, por edhe garantohet e ardhmja. Një e ardhme që shkon shumë përtej të ardhmes që mund të garantojë politika, që mund të garantojnë partitë, që mund të garantojnë qeveritë në faza të caktuara të marrjes së përgjegjësisë prej tyre.

Sot ne jemi në kushtet kur mund të shtyjmë falë edhe pozicionit të ri që kemi në kontekstin europian si vend që në komunitetin e ri politik evropian, shkenca dhe arsimi, duke filluar nga arsimi i lartë të mos presin integrimin e plotë europian të vendit tonë apo të vendeve të tjera të rajonit, por të bëhen sot pjesë e perimetrit, ta bëjnë sot pjesë të tyre dhe perimetrin e shkencës dhe të arsimit të lartë shqiptar. Për këtë kemi nevojë, nga njëra anë të shtyjmë më fort në nivelin evropian ne, qeveria, por nga ana tjetër kemi nevojë të japim shembuj dhe sot kemi një shembull domethënës. Deri dje pedagogët e përfshirë në kërkimin shkencor me fonde europiane në Universitetin e Tiranës ishin afro 50 vetë, sot ka kaluar 400, gjë që natyrisht rrit dhe të ardhurat e tyre, por mbi të gjitha krijon shembullin që ne jemi pjesë dhe tregon se ne dimë. Çështja është si ne këtë dije ta ekspozojmë për shoqërinë dhe ta kthejmë nga një dije individësh në një dije të një komuniteti akademik i cili i shërben vendit duke qendruar mënjanë nga rrjedhat e turbullta të zhvillimeve kaotike të së përditshmes së vendit. Shumë njerëz thonë, “ne kemi ujë, ne kemi diellin, ne kemi naftë, ne kemi minerale, ne kemi pyje, ne kemi male, ne duhet të jemi si Zvicra sepse jemi shumë të pasur”. Mirëpo vendet nuk dallohen nga ato që kanë, dallohen nga ajo që dinë. Zvicra nuk ka sa ne, por Zvicra di më shumë më tepër se ne dhe kështu nëse ne shohim investimet në dije, investimet në shkencë krahasuar me të ardhurat, do të shohim diçka shumë të thjeshtë. Sa më shumë është investuar në dije dhe në shkencë, aq më shumë janë rritur edhe të ardhurat.

Izraeli nuk ka ujë, por është vendi numër një në planet për ujin, ka ekselencën e furnizimit me ujë pa pasur ujë fare, sepse ka dijen. Ne kemi ujë më shumë se sa të gjithë pas Norvegjisë dhe problemin kryesor ne sot kemi ujin në të gjitha aspektet. Ende. Pse? Për shkak të një trashëgimie të egër si rezultat i padijes.

Me shumë nderim për të gjithë ju dhe me një kënaqësi të madhe që e pashë këtë sallë “të pushtuar’’ akademikisht dhe duke ju siguruar se do të jetë një pamje e paharruar për mua, një pamje që do ma bëjë më të rëndë seancën e radhës të Parlamentit, por do ta përballoj siç jemi mësuar të përballojmë gjëra edhe më të rënda, ju shpreh gjithë mirënjohjen për gjithçka keni bërë në këtë kohë jo fort të lehtë, për ta thënë me fjalë të buta, për shkencën, jo fort të lehtë për njerëzit e dijes, ju shpreh gjithë respektin tim për sa shumë i keni rezistuar injorantëve, dallkaukëve dhe vulgarëve që ju kanë dalë përballë dhe ju kanë treguar se si bëhet kjo punë në shumë e shumë vite dhe uroj me gjithë zemër që të mos dorëzoheni siç nuk dorëzohet ‘’i paoksidueshmi’’ Skënder Gjinushi.

Faleminderit!

 

 

Nga ‘takimi’ me alienët deri te lufta shkatërruese!

Baba Vanga bën parashikimin ‘e frikshmëm’ për 2025-n

“Shkolla nuk më kishte vënë në dijeni për konfliktin“

Vrasja pranë “Fan Nolit”, merret në pyetje i ati i Martin Canit

“Këtu nuk ka drejtësi, po na mohohet puna”

Të moshuarit sërish në protestë para Kryeministrisë