MENU
klinika

Analiza

Diplomacia e munguar: Burimi i të këqijave të kohëve tona…

15.11.2022 - 14:00

Nga Pierre Haski

A është vërtet diplomacia vazhdimi i luftës me mjete të tjera?

Apo në vend të kësaj është një mënyrë për ta shmangur atë, ose së paku për t’i dhënë fund kur nuk ishte e mundur që të shmangej? Në ditët në vijim do të kemi elementë të rinj për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, dhe kjo për shkak të një sërë ngjarjesh të rëndësishme ndërkombëtare.

Për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës gati 9 muaj më parë, udhëheqësit e ekonomive kryesore të botës do të mblidhen në fillim të javës së ardhshme për samitin e G20 që do të mbahet në Bali të Indonezi. Të gjithë liderët e rëndësishëm botërorë do të jenë aty, përveç njërit: Vladimir Putin.

Ky i fundit ka zgjedhur politikën e “karriges bosh”, dhe do të përfaqësohet nga një njeri shumë besnik ndaj tij, Ministri i Jashtëm. Nga ana tjetër, të pranishëm në samit do të jenë presidenti amerikan Xho Bajden, udhëheqësi kinez Xi Jinping dhe liderë evropianë si Emanuel Makron, Olaf Sholc dhe Xhorxhia Meloni, si dhe ata nga vendet e tjera të mëdha dhe në zhvillim si India, Brazili dhe Afrika e Jugut.

Disa vende të përfaqësuara, duke filluar nga ato perëndimore, janë rreshtuar përkrah Ukrainës.

Të tjerët, si Kina, mbështesin politikisht Rusinë. Dhe disa të tjerë janë pozicionuar në një “mosangazhim” të sikletshëm. Samiti i Balit do të jetë rasti i parë që pas shpërthimit të luftës Rusi-Ukrainë, ku liderët botërorë do të kenë mundësinë që të takohen. Duke bojkotuar samitin, Vladimir Putin rrezikon të mbetet i izoluar dhe t’ia lërë fushën armiqve të tij.

Siç e konfirmuan të enjten Pekini dhe Uashingtoni, momenti kulmor i samitit do të jetë takimi i planifikuar për më 14 nëntor ndërmjet Bajden dhe Xi, dy rivalëve më të mëdhenj të shekullit XXI. Krerët e qeverive të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës e kanë njohur njëri-tjetrin që nga koha kur ishin zëvendëspresidentët e vendeve të tyre përkatëse.

Por ata nuk janë takuar kurrë personalisht që nga zgjedhja e Bajdenit si president dy vjet më parë. Ky është një moment i rëndësishëm, pasi marrëdhëniet mes dy vendeve vazhdojnë të përkeqësohen. Muajin e kaluar, Bajden mori disa vendime në lidhje me industrinë e gjysmëpërçuesve (me një rëndësi të madhe strategjike), të cilat përbëjnë në fakt një deklaratë lufte teknologjike kundër Kinës. Pekini nuk ka reaguar ende, por goditja ndaj kapacitetit të Kinës për inovacion ka qenë e rëndë.

Rusia përfaqëson një element që e rëndon akoma më shumë këtë marrëdhënieje gjithnjë e më kontradiktore. Në fakt, Kina është e ndarë midis mbështetjes politike për projektin që synon të ndryshojë rendin aktual global të udhëhequr nga Perëndimi, dhe shpresës për të mos u bërë një viktimë anësore e dështimit rus në Ukrainë.

Ndër çështjet që nxisin tensionin mes dy vendeve, Rusia zë një vend të spikatur.

Takimet e planifikuara nuk do të kenë një ndikim të menjëhershëm mbi luftën në Ukrainë, edhe sepse askush nuk ka ndërmend të negociojë në vend të Rusisë dhe Ukrainës, presidentët e të cilave do të flasin vetëm me video-konferencë.

Por fakti që diçka më në fund po lëviz mes vendeve të G20-ës, është tashmë një shenjë pozitive.

Sigurisht, klima ndërkombëtare nuk është aspak inkurajuese, siç dëshmohet nga fakti se më 9 nëntor Emanuel Macron iu drejtua ushtarakëve në Tulon duke folur për “përballjen e madhe gjeopolitike të së nesërmes”.

Ndërkohë, në Pekin, Xi Jinping u shfaq i veshur me një kostum kamuflazhi ushtarak duke i kërkuar Komisionit Qendror Ushtarak të Partisë Komuniste të Kinës që të jetë “besnik dhe efektiv në planifikimin e luftës” dhe të tregojë “guximin për të fituar”.

Por çfarë mund të bëjë diplomacia përballë “logjikës së luftës”? Këtë do ta zbulojmë gjatë samiti të G20-ës, por edhe gjatë dy samiteve të tjera të planifikuara po në Azi. Presidenti Bajden do të shkojë fillimisht në kryeqytetin e Kamboxhias, Phnom Penh, për të marrë pjesë në samitin e ASEAN, grupi i vendeve të Azisë Jugore, dhe më pas në Bangkok të Tajlandës për të biseduar me APEC, grupimi i vendeve të Azi-Paqësorit.

Nuk duhet të presim ndonjë mrekulli, por ka kohë që liderët botërorë nuk kanë biseduar kokë më kokë me njëri-tjetrin. Ndaj këto samite janë tashmë diçka.