MENU
klinika

Tragjedia në Seul e shpjeguar vizualisht

Si njerëzit mund të vdesin në turmë

01.11.2022 - 13:11

Të shtunën në mbrëmje, dhjetëra mijëra njerëz, kryesisht të rinj, u dyndën në lagjen Itaewon në Seul për të festuar Halloween-in. Kjo zonë njihet për jetën e natës, baret, restorantet si edhe rrugicat e pjerrëta dhe të ngushta.

Pak pas orës 10:00 në mbrëmje, shpërtheu kaosi. Dëshmitarët raportuan se panë turma që shtoheshin në drejtime të ndryshme dhe njerëzit rrëzoheshin, duke shkaktuar një efekt domino te të tjerët. Pamjet e rrjeteve sociale treguan disa njerëz që përpiqeshin të ngjiteshin në anët e ndërtesave për t’i shpëtuar presionit në rritje, ndërsa të tjerët bërtisnin, qanin ose shanin.

Dëshmitarët thanë se rrugët ishin aq të bllokuara me njerëz dhe makina, saqë ishte praktikisht e pamundur që punonjësit e urgjencës dhe ambulancat të arrinin me shpejtësi. 153 persona humbën jetën.

Turmat dhe siguria e tyre

Turmat ku njerëzit janë të vendosur maksimumi dy deri në katër persona për metër katror janë të sigurta, sepse ka mjaftueshëm hapësirë që ata të lëvizin në varësi të rrethanave.

Kur ka gjashtë deri në dhjetë persona për metër katror, njerëzit janë aq pranë dhe ngjeshur me njëri-tjetrin, sa është e pamundur të lëvizin lirisht. Turma duket si një “lëng” që lëviz njësoj. Rritet presioni dhe është e lehtë që njerëzit të humbasin kontrollin.

Rënia e një personi shkakton rënien e të tjerëve afër tij, duke nxitur një kaos në turmë përmes efektit domino.

Shkaku më i shpeshtë i vdekjes në turma kaotike është asfiksia – ku rrugët e frymëmarrjes ngushtohen sepse njerëzit shtyjnë njëri-tjetrin; mushkëritë nuk kanë mundësi që të zgjerohen dhe të mbushen me ajër.

Pra, diçka aq e thjeshtë sa frymëmarrja bëhet e pamundur. Njerëzit vdesin në këmbë; ata që bien vdesin sepse trupat sipër tyre ushtrojnë presion të tillë që frymëmarrja bëhet e pamundur.

Teksa përpiqen të lëvizin ose të ngrihen, krahët dhe këmbët e njerëzve përdridhen së bashku. Furnizimi me gjak në tru nis të kufizohet. Duhen rreth 30 sekonda për të humbur vetëdijen dhe vetëm 6 minuta për të kaluar në asfiksi, shkaku kryesor i vdekjes.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN