MENU
klinika

Më pak kosto dhe 4 herë më shumë fuqi

Shpiket bateria nga uji i detit

25.12.2022 - 11:43

Kërkuesit kanë krijuar një lloj të ri baterie që reziston 4 herë më shumë se sa bateritë e zakonshme me jone litiumi dhe ka kosto më të vogël. Duke përdorur një teknikë të re për të ndërtuar bateri me sulfur sodiumi, një ekip nga Universiteti i Sidneit në Australi mundi të bënte një të tillë me kapacitet të lartë dhe kohëzgjatje të shtuar. “The Independent” shkruan se bateria është krijuar me kripë të shkrirë që përftohet nga uji i detit që do të thotë se është më pak toksike dhe e dëmshme për mjedisin se sa bateritë e zakonshme që mund të gjenden kudo, nga celularët te makinat. Shkencëtarët shprehen se kjo teknologji mund të nxisë kapërcimin në një ekonomi pa karbon.

“Ky është një përparim domethënës për zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme që ndonëse zvogëlon kostot afatgjata, është përballur me disa pengesa financiare. Kur dielli nuk shkëlqen dhe era nuk fryn, nevojiten zgjidhje rezervë të cilësisë së lartë që nuk kushtojnë shumë dhe janë të arritshme në aspektin vendor dhe rajonal”, komentuan ata. Bateria është dizenjuar posaçërisht për sigurimin e rezervave të energjisë për burimet e ripërtëritshme. Sipas një raporti të fundit, në 5 vjet energjia e ripërtëritshme do të ulë përdorimin e qymyrit si lëndë e parë djegëse. Megjithatë sfida e vërtetë mbetet në ruajtjen e saj gjatë periudhave të mbiprodhimit. Kërkuesit shpresojnë ta përmirësojnë teknologjinë e baterisë me qëllimin që më vonë të jetë e gatshme për t’u shitur në treg.