MENU
klinika

Scriptorium

“Familjet perfekte dhe krijesat mitologjike”

24.01.2023 - 17:58

Irene Vallejo/

Të kujtohet kur i vështroje të rriturit si gjigandë të plotfuqishëm. Kur ishe e vogël dhe mami të pyeste për të marrë konfirmimin tënd. Aty zbulove që dhe të rriturit ishin plot me dyshime.

Përpara fëmijëve duan të duken sikur i dinë të gjitha përgjigjet, por në fakt kanë aq shumë pyetje dhe dilema. Ti bëhesh i vetëdijshëm për këtë në momentin kur sjell një fëmijë në jetë dhe fillon t’i mësosh të gjitha frikërat. Frikë për shëndetin e tij, për të ardhmen, për gabimet që mund të bësh ti. Prindërimi nuk është klasifikuar kurrë si formë e ushtrimit të pushtetit: ashtu si dhe tani, zërat e së kaluarës e përcaktonin prindërimin si eksperiencë plot ankth, tallje, pasiguri.

Një nga parabolat biblike më të famshme është ajo e djalit plangprishës. Ai merr trashëgiminë dhe i shpenzon të gjitha paratë. Kur ngelet pa asnjë kacidhe, shkon tek i ati dhe i kërkon që të kujdeset për derrat që ai kishte.

Vendosi të kthehet në shtëpi, ai priste që i ati t’i thoshte diçka të tipit: “po unë të thashë”. Por i moshuari në fakt gëzohet shumë kur shikon të birin plangprishës, aq sa organizon dhe banket mirëseardhjeje. Shumë e kritikuan qëndrimin e tij të butë. Kritika më e madhe qe prej vëllait të plangprishësit. Nuk janë të pazakonta kundërshtitë e fëmijëve ndaj prindërve.

Romakët e vjetër i përdorën ankthet familjare si frymëzim të komedive që realizuan. Komeditë zakonisht kishin personazhe kryesore baballarë jo të shtruar, që kishin fëmijë të pabindur. Konfliktet kryesisht nisnin prej gënjeshtrave, ngatërresave, fatkeqësive të ndryshme. Paraardhësit tanë qeshnin e në të njëjtën kohë iu dhimbte realiteti që po iu mishërohej në shfaqje teatrale. Sepse dhe në shtëpitë perandorake mbizotëron rrëmuja.

Terencio në pikturën e tij “Vëllezërit” pikturoi: Micion-in dhe Demeas-in të cilët besonin në forma edukimi tërësisht të ndryshme nga njëra-tjetra. I pari mendonte që ia vlen të besosh tek fëmija, t’ia falësh gabimet, t’i japësh para, t’i japësh përgjegjësi. Ndërsa tjetri mbronte: disiplinën, ndëshkimet, sepse butësia sipas tij është e pavend dhe iu bën dëm të rinjve.

Demeas-i e mbron teorinë e tij se: “Djali apo vajza do të bëhen pikërisht ashtu siç do ti të bëhen”. Në fund zbulohet se asnjëri nga vëllezërit nuk i ka qëndruar besnik qëndrimit të tij. Ata e kanë përqendruar vëmendjen e tyre për të bindur tjetrin që e ka gabimin e për të argumentuar teorinë e vet.

Të gjithë bien dakord që duhet guxim për të edukuar një qenie njerëzore. Në filmin e tij “Big Fish”, Tom Burton nxjerr në pah një baba që fantazon, joshës dhe në prag të vdekjes. Për shkak të një mijë e një legjendave që i ka treguar të birit ai është bërë një i rritur: pragmatik e që nuk i flet më të atit.

Herën e fundit që vizitoi babain e tij në spital, i biri kuptoi që në fakt të gjithë e kemi të nevojshme ta zbukurojmë realitetin tonë dhe të gjithë tregojmë versionin më të mirë të vetes shumicën e kohës. Në film, babai dhe i biri, dy karaktere krejtësisht të ndryshëm, bien dakord në tregimin e fabulës, fabulë nga ato të pamundurat.

Të edukosh dhe të rrisësh një fëmijë, do të thotë të marrësh vendime, të gabosh pothuajse gjithmonë e ndonjëherë të veprosh drejtë. Marco Aurelio ndër meditimet mbi të birin Cómodo-n shkruante: “Mësoje me dashuri, por nëse nuk ia del, mos iu hakërre atij, as vetes”. Edhe më i mençuri i perandorëve romakë e vuajti këtë shqetësim: të rrisësh një fëmijë do të thotë të jesh plot me dyshime, kjo është e vetmja gjë e sigurt.

Irene Vallejo, shkrimtare e mirënjohur spanjolle, në vitin 2020 fitoi çmimin Premio Nacional de Ensayo për librin e saj “El infinito de un junco”, e pesta grua që ka fituar këtë çmim dhe e para filozofe që fitoi çmimin “Celia Amorós” në vitin 2006.

Artikulli u përkthye në shqip nga Albana Murra.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Blogu i Albana Murrës/ Scriptorium

“Vjeshta jote ndriçon”

Scriptorium

“Poret”

Blogu i Albana Murrës/ Scriptorium

“A ka më rebelë?”