MENU
klinika

Zbardhet marrëveshja

BSH, Prokuroria dhe Policia i shpallin luftë falsifikimit të parave

18.01.2023 - 13:05

Ligji për amnistinë fiskale ka qenë një ndër çështjet që është trajtuar dje pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për “Parandalimin e Falsifikimit të Dokumenteve” mes Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Gjatë fjalës së tij, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi është shprehur se amnistia fiskale është një instrument ligjor që shkon për të formalizuar ekonominë teksa ka shtuar se është shumë i rëndësishëm për shqiptarët.“Ashtu siç e tha dhe guvernatori, ai është një instrument ligjor që më së shumti shkon për të formalizuar ekonominë, kështu që është shumë i rëndësishëm për shqiptarët. Jo vetëm i kemi marrë dhe po i marrim në konsideratë të gjitha vërejtjet që ne shohim se janë të vlefshme për ta përmirësuar draftin për amnistinë fiskale, por mund t’ju them dhe një informacion që ndoshta nuk e keni, se ne këtë ligj po e punojmë ngushtësisht me ekspertë europianë. Jo vetëm marrim opinionet e tyre, marrim vërejtje, konsultohemi, por grupi i punës që punon përditë, është bërë me ekspertizë të paguar nga vendet e BE. Pa diskutim që jemi në sinkron me partnerët tanë në lidhje me këtë ligj, dhe siç e tha dhe Guvernatori, ai është një instrument ligjor që më së shumti shkon për të formalizuar ekonominë dhe shumë i dobishëm për Shqipërinë”, deklaroi ai.

Marrëveshja
Ndërkohë në fjalën e mbajtur me këtë rast, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi theksoi ndër të tjera se kjo marrëveshje vjen edhe si një detyrim që kemi ndaj, edhe partnerëve ndërkombëtarë duke përmendur kapitullin 24 dhe 32 të negociatave me Bashkimin Europian.“Besoj se duke u lidhur në marrëveshje të tilla midis agjencive të ndryshme, midis institucioneve të ndryshme, duke filluar nga Prokuroria që është organi kompetent për ndjekjen penale, Policia e Shtetit që, në njëfarë mënyre ushtron të gjithë veprimtarinë hetimore dhe Bankën e Shqipërisë që mbart të gjithë ekspertizën, unë mendoj që ne krijojmë një terren dhe në këtë mënyrë bëhet shumë më efikase lufta ndaj kësaj vepre penale, e cila ka një rëndësi të posaçme, sepse nuk lidhet drejtpërdrejt me dëmin që pëson personi që mund të jetë viktimë apo që mund të tentojë të viktimizojë dikë nëpërmjet ofrimit të parasë apo nëpërmjet veprimeve për falsifikimin e parasë, pra monedhës/kartëmonedhës, çfarëdo qoftë ajo, por, ndikon edhe në një lloj destabiliteti makro-ekonomik dhe për këtë arsye duhet që ne jo vetëm t’i godasim, por edhe t’i dokumentojmë sa më saktë. Për këtë qëllim, në marrëveshje ne kemi vendosur edhe prioritetin që duhet të informojmë njëri-tjetrin në lidhje me sasinë, vendin, personat që kryejnë këto krimet etj”, u shpreh ai.

Falsifikimi i parave
Më tej ministri Çuçi tregoi për një strukturë të posaçme në Policinë e Shtetit që ndjek rastet e falsifikimit të parave. “Në Policinë e Shtetit ne tashmë e kemi krijuar atë strukturë të posaçme, që edhe në marrëveshje vlen si një lloj angazhim i joni, por edhe siç e thashë dhe me BE një lloj detyrimi që kemi. Sot në Policinë e Shtetit është krijuar Zyra Qendrore Kundër Falsifikimit të Monedhave, që do të merret vetëm me këtë figurë të veprës penale, duke e konsideruar si një figurë të posaçme. Unë besoj se do kemi përveç se rezultateve më të mira, si rezultat i këtij bashkëpunimi më të ngushtë, por do ndihmojmë shumë sidomos në dokumentimin siç thashë qoftë të sasive të sekuestruara apo të konfiskuara të këtyre monedhave të falsifikuara, dhe në një lloj baze të dhënash me personat, me makineritë që përdoren e kështu me radhë”, nënvizoi Çuçi.

Sejko: Në 2022 vetëm 343 kartëmonedha të falsifikuara
Por emetimi i kartëmonedhave të reja prodhuar me teknologjinë më të fundit dhe me elementë të lartë sigurie, ka shënuar një rënie të konsiderueshme të numrit të kartëmonedhave të falsifikuara. Kjo u bë e ditur dje nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili ishte i pranishëm në takim. “Për vitin 2022 numri total është vetëm 343 copë, kundrejt një gjendjeje mesatare kartëmonedhash në qarkullim prej 157.5 milionë copësh ose 2.2 copë kartëmonedha të falsifikuara për 1 milion copë në qarkullim, kundrejt 5.4 në vitin 2021. Ndërsa, sa i përket monedhave metalike, prerja 50 Lekë vijon të jetë e vetmja monedhë e falsifikuar, në sasi të papërfillshme, me vetëm 79 copë, në vitin 2022, kundrejt 250 milionë copë monedhash në qarkullim. Treguesi tepër i ulët i kartëmonedhave dhe monedhave metalike shqiptare të falsifikuara kundrejt kartëmonedhave dhe monedhave në qarkullim, e rendit Shqipërinë ndër vendet me treguesin më të ulët të kartëmonedhave të falsifikuara”, deklaroi ai. Ndërkohë Banka e Shqipërisë, Policia dhe Prokuroria thelluan bashkëpunimin institucional në frenimin e falsifikimit të kartëmonedhave, jo vetëm të lekut por edhe të monedhës europiane, Euro. “Palët e angazhuara në këtë marrëveshje marrin përsipër të transmetojnë/transferojnë mostra të kartëmonedhave dhe monedhave të dyshuara dhe, nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë angazhohet të centralizojë ekspertizën dhe klasifikimin e mostrave të monedhave kombëtare apo të huaja të zbuluara në qarkullim, si dhe ato gjatë procedimit penal, duke e konsideruar këtë proces si mënyrën më të mirë për njohjen reale dhe monitorimin e fenomenit të falsifikimit në vendin tone”, nënvizoi Sejko.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN