MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Cilat janë shkaqet e mbipeshës (obezitetit)?

15.01.2023 - 12:02

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Cilat janë shkaqet e mbipeshës (obezitetit)?

Mjeku: Ndër shkaqet më kryesore që rendisim si faktorë nxitës të obezitetit janë:

Konsumimi i shumë kalorive (më shumë sesa nevojat e një individi ). Kur njerëzit konsumojnë më shumë sesa harxhojnë me aktivitet fizik, është e kuptueshme që teprica e kalorive të mos harxhohet dhe të depozitohet në formën e dhjamit në organizëm.

Zakonisht te personat që konsumojnë më shumë yndyrna, është rrezik më i madh të jenë mbi peshë, por edhe konsumimi i tepërt i sheqernave dhe produkteve të përhapura në masë i ushqimeve të shpejta (fast-food) konsiderohen si bomba kalorike që më vonë sjellin obezitetin.

Ulja e lëvizshmërisë dhe e aktivitetit fizik. Çdo individ sasinë e energjisë që merr gjatë ditës me ushqim e djeg kryesisht për aktivitet të brendshëm të vetë organizmit. Por një përqindje jo e vogël është e destinuar të digjet nëpërmjet lëvizjes, punët me aktivitet fizik, sporte të ndryshme etj. Madje edhe nevojat për kalori përllogariten individualisht bazuar mbi sasinë e aktivitetit fizik që kryen çdo individ. Në rast se shkojmë drejt reduktimit apo eliminimit të aktivitetit fizik, atëherë me shumë gjasë pjesa që nuk harxhohet, do të mbetet si depozitë dhjamore në organizëm, pra, obezitet.

Profesionet më të rrezikuara janë ato që i bëjnë njerëzit pasivë, në kuptimin e të ushtruarit të një profesioni që të lë pa lëvizur dhe pa pasur aktivitet fizik, si për shembull, mjekët, mësuesit, inxhinierët, sekretarët etj. Për fat të keq, popullatat në tërësi sot kanë një prirje drejt ushqimeve të gatshme dhe të shpejta, gjithashtu dhe drejt shtimit të kohës pa lëvizur, kompjuterit, pra, pa aktivitet fizik.

Kjo “sindromë sociale” nuk ka kursyer madje as fëmijët. Shumica e fëmijëve obezë që janë pesëfishuar në dekada më parë, janë fëmijë që nuk ushtrojnë aktivitet fizik, nuk preferojnë sportet dhe lojëra në natyrë, por mbyllen në shtëpi me lojëra elektronike etj.

Pagjumësia dhe mosrealizimi i gjumit të mirë është një nga faktorët kryesorë që shkakton obezitet. Kjo ndodh, sepse duke mos bërë një gjumë normal, sidomos kur reduktojmë orarin e gjumit nuk i kemi dhënë mundësinë organizmit të prodhojë gjatë gjumit substancat e nevojshme p.sh.: hormone që i duhen çdo individi për të realizuar një metabolizëm normal.

Shumë studime kanë treguar që reduktimi i orëve të gjumit prish ritmin biologjik për pasojë organizmi nuk do të funksionojë normalisht, sipas projektimit kohor që kanë shumë procese fiziologjike në organizëm. Pra, prishet ora fiziologjike e trupit. Hormonet kryesore që lidhin gjumin me metabolizmin janë leptina, grelina, kortizoli etj.

Genet e “sëmura”. Çdo sjellje e organizmit përcaktohet nga harta gjenetike që ne kemi. Ka njerëz që kanë një prirje mosfunksionimi të geneve që janë përgjegjëse për djegien e kalorive. Në këto raste metabolizmi i tyre konsiderohet si “përtac“ apo dembel e për pasojë obezitet.

Stresi është faktor jo i rrallë në shkaktimin e obezitetit. Ka shumë mekanizma që justifikojnë lidhjen e çrregullimeve psiko-emocionale me peshën. Pa u ndalur në hollësi, shpesh individët e stresuar e konceptojnë marrjen e ushqimit si një lehtësi apo veprim antistres.

Sëmundje të caktuara të organizmit që shoqërohen me obezitet kryesisht janë sëmundje metabolike. Për shembull, hipotireoza ose prodhimi i pakët i gjendrës tiroide çon në ulje të metabolizmit bazal për pasojë digjet më pak kalori dhe kemi shtim të peshës. Por edhe sëmundje të tjera që përmendëm pak më lart kryesisht sëmundjet psikike bëhen shkak zhbalancimit mes marrjes dhe djegies së ushqimit. Kryesisht sëmundjet psikike ndikojnë më shumë në ndjesinë e të ngopurit dhe çrregullimit të oreksit.

Barnat e ndryshme. Ka disa barna të caktuara që mundet të ndikojnë procesin e thithjes, përpunimit dhe djegies së ushqimeve, ka dhe disa barna të tjera që shkaktojnë obezitet duke çrregulluar qendrën e oreksit.

Përdorimi i substancave të ndryshme që modifikojnë strukturat e hormoneve. Sa më larg ushqimeve bio, sa më i ndotur të jetë mjedisi, aq më shumë substanca të panjohura për organizmin ndërveprojnë apo ndërhyjnë në procese të ndryshme biokimike. Kështu shumë pesticide, përbërës të rrezatimeve apo përbërës të produkteve të ndryshme kozmetike, sillen si hormone “artificiale” në organizëm duke prishur veprimtarinë e hormoneve normale të tij.

Lënia e cigares mund të jetë një tjetër shkak i obezitetit. Për fat të mirë, kjo gjë nuk ndodh tek çdo individ që ndërpret cigaren.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga menaxhimi i peshës tek sasia e kripës

10 hapa për një zemër të shëndetshme!