MENU
klinika

Analiza

Perëndimi duhet të heqë dorë nga skenaret për luftën…

24.01.2023 - 09:00

Aktualisht ka shumë parashikime se si do të vazhdojë lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Por kjo luftë mund të përfundojë së shpejti. Ndryshimi i regjimit të Kremlinit, një kolaps i ushtrisë ruse apo një fitore e Ukrainës, janë që të gjitha të mundshme. Asnjë nga këto raste nuk duhet të përjashtohet.

Perëndimi ka kaluar shumë vija të kuqe të vetëimponuara. Dikur ngurronte, por tani po i dërgon Ukrainës raketa antiajrore në lartësi të ulëta “Stinger” dhe ”IRIS-T”, artileri raketore HIMARS dhe mbrojtje ajrore në lartësi të madhe Patriot. SHBA-ja dhe Gjermania kanë deklaruar se do të dërgojnë në Ukainë automjete luftarake për lëvizjen e këmbësorisë.

Pavarësisht nga mbështetja e madhe e Perëndimit dhe fitoret e guximshme ushtarake të Ukrainës, pesimistët janë jo të paktë në numër. Disa parashikojnë një konflikt të ngrirë. Ca të tjerë shqetësohen se presidenti rus Vladimir Putin do të këmbëngulë te synimet e tij, duke e parë luftën si ekzistenciale dhe duke e mohuar identitetin e Ukrainës si një komb më vete.

Disa të tjerë thonë se ai planifikon një luftë të gjatë ose parashikojnë se në fund nuk do të fitojë asnjëra nga palët. Dyshuesit mund të kenë të drejtë. Konflikti ka zgjatur më shumë sesa shumë luftëra rajonale, dhe në horizont nuk ka asnjë fitore apo një tërheqje të ndonjërës nga palët.

Por parashikimet meritojnë të trajtohen me njëfarë rezerve, sepse kaq shumë prej tyre janë provuar si të gabuara. Si për shembull parashikimi që Kievi mund të kapitullonte brenda disa ditësh, apo që Rusia do të arrinte shpejt epërsinë ajrore mbi Ukrainën. Për këtë arsye politikëbërësit duhet të marrin në konsideratë jo vetëm mundësinë e një lufte të gjatë, por edhe skenarët se si ajo mund të përfundojë më shpejt.

Putin mund të rrëzohet nga pushteti

Tre skenarët/ Kur lufta në Ukrainë mund të

Shpura e Putinit në Kremlin, kryesisht ish-agjentë të KGB-së mund të jetë në telashe. Një rekrutim surprizë, i zbatuar shumë keq, i qindra mijëra burrave, ka qenë jo shumë popullor. Humbjet në Ukrainë kanë shkaktuar një lumë kritikash nga mbështetësit më të thekur të luftës.

Disa pjesëtarë të rrethit të brendshëm të Kremlinit, mund të jenë gjithnjë e më të pakënaqur me situatën. Putin mund të nënshtrohet ose të rrëzohet nga forcat rebele të sigurisë, si ato të udhëhequra nga përfaqësuesit e linjës së ashpër Yevgeny Prigozhin (Grupi Vagner) apo udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov.

Ndryshimi i papritur i regjimit mund të jetë i rrezikshëm. Rusia mund të bëhet e paqeverisshme. Nëse Moska e vazhdon luftën e saj, Perëndimi mund të vazhdojë që ta armatosë Ukrainën, të vendosë sanksione të reja dhe të sekuestrojë rreth 300 miliardë dollarë asete financiare ruse. Presionin mund ta lehtësojnë vetëm nëse pushtetin e marrin liberalët që do të tërheqin trupat nga Ukraina.

Ushtria ruse mund të pësojë kolaps

Tre skenarët/ Kur lufta në Ukrainë mund të

Gjatë Luftës së Parë Botërore, një ushtri ruse e pamotivuar dhe e armatosur shumë keq pësoi një disfatë katastrofike në front, duke ndihmuar në rrëzimin e Carit. Rusia mund të përballet sot me një rrezik të ngjashëm. Ndërsa presidenti ukrainas Volodimir Zelenski po viziton trupat e vijës së parë, Putini qëndron kryesisht larg frontit.

Ndaj nuk është ndonjë çudi pse morali i ushtarëve ukrainas është i fortë dhe ai i rusëve është i dobët. Në disa raste, eprorët rusë qëllojnë ushtarët që refuzojnë të luftojnë. Në tetorin e vitit të kaluar, një shef i inteligjencës britanike tha se forcat ruse në Ukrainë ishin tepër të shpërndara dhe të lodhura.

Trupat ruse stërviten në baza ushtarake të rrënuara, luftojnë me pajisje të vjetruara dhe u mungojnë furnizimet mjekësore. Ushtarët ankohen se janë dërguar në luftë si mish për top. Gjatë këtij dimri jo pak ushtarë rusë mund të ngrijnë pasi nuk kanë veshjet e duhura për këtë stinë.

Ukraina mund ta fitojë luftën

Tre skenarët/ Kur lufta në Ukrainë mund të

Ajo arriti të zmbrapsë sulmet e hershme të ushtrisë ruse për të pushtuar 3 qytetet më të mëdha të Ukrainës: Kiev, Harkiv dhe Odesa. Kohët e fundit, forcat ukrainase rimorën gjysmën e territorit në Ukrainën Lindore dhe Jugore, që ishte pushtuar që nga 24 shkurti, përfshirë të vetmin kryeqytet rajonal të marrë që nga ajo kohë, Kerson.

Nëse toka ngrin deri në thellësi dhe mbetet e tillë për një kohë të gjatë, ushtria e Ukrainës mund të kryejë operacione të kombinuara për të zmbrapsur më tej armikun nga zonat e pushtuara. Edhe Krimea që është aneksuar nga Rusia mund të jetë e pambrojtur nëse ukrainasit marrin në kontroll qendrën hekurudhore në Melitopol.

Nisma të tilla mund të ndodhin përpara se ushtria ruse të mund të stërvitë dhe pajisë një tjetër forcë të madhe, me synim kryerjen e një sulmi të ri kundër Kievit apo Harkivit. Së fundi, ekziston frika se një Kremlin i dëshpëruar mund ta përshkallëzojë luftën, nga sulmet e drejtpërdrejta mbi bazat e furnizimit dhe trajnimit në vendet e NATO-s në kufi me Ukrainën apo edhe përdorimin e kufizuar të armëve bërthamore.

Opsioni i parë mund të jetë jotërheqës për shkak të përforcimit të NATO-s në krahun e saj të Europës Lindore dhe mungesës nga ana e Rusisë të raketave me rreze të gjatë me një saktësi të madhe. Ndërsa skenari i dytë mund të frenohet pjesërisht nga manovrat bërthamore të NATO-s apo nga kundërshtimi i Kinës, Indisë apo i fuqive të tjera të botës.

Në thelb mbetet e paqartë se si do të përfundojë kjo luftë. Duket se Perëndimi do të vazhdojë të sigurojë që forcat ukrainase ta ruajnë epërsinë e tyre cilësore në armë dhe qasje në informacionet e shërbimeve sekrete perëndimore.

Një mobilizim i më shumë rekrutëve rusë, edhe nëse janë të trajnuar dobët dhe të keqpajisur, mund ta mbështesë disi mbrojtjen ruse. Ajo mund të krijojë bazën për një luftë të gjatë shkatërrimtare. Por politikëbërësit nuk duhet të anashkalojnë situatat e paparashikuara që sot për sot mund të duken të pamundura, por që mund t’i japin më herët fund luftës.

Peter A.Wilson, studiues i çështjeve ndërkombëtare dhe mbrojtjes në think-tankun amerikan “RAND Corportation”. William Courtney, ish-ambasador i SHBA-së në Kazakistan dhe Gjeorgji.