MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Ndikimi i duhanit në zemër

29.01.2023 - 11:23

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Si ndikon duhani në zemër?

Mjeku: Është vërtetuar se duhani përbën një ndër shkaqet e rëndësishme të shkaktimit të sëmundjeve të ndryshme të rënda për organizmin e njeriut. Përveç sëmundjeve të zemrës dhe të arterieve të gjakut që do të përmendim më poshtë, ai shkakton bronkit kronik, kancer të mushkërive, të gojës, të laringut, të ezofagut apo dhe shumë të tjera.

Gjendjet pathologjike që krijohen nga duhani në sistemin kardiovaskular janë: sëmundja ishemike e zemrës, insufiçenca e zemrës, ngushtimet e arterieve periferike të këmbëve, ngushtimet e arterieve karotide të qafës, insultet e ndryshme cerebrale etj. Gjithashtu, ai vë në rrezik jetën e atyre që nuk e pijnë, por që janë të ekspozuar në ambjente të mbyllura me tym nga pirësit e duhanit.

Të mirat e ndërprerjes së duhanit:
Kush ndërpret duhanin do të jetojë më shumë se po ta vazhdojë atë. Një i sëmurë me hipertension nëse ndërpret duhanin ul në 35-40% mundësinë e një episodi vaskular cerebral apo kardiak.

Ndërprerja e duhanit ka veprim pozitiv dhe ndihmon në uljen e yndyrave në gjak. Pas 3 vjetësh nga ndërprerja e duhanit, rreziku i sëmundjes ishemike të zemrës ulet në nivelin e njerëzve që s’e kanë pirë kurrë.

Këshilla që ndihmojnë në ndërprerjen e duhanit:
Që të rritet mundësia e ndërprerjes së duhanit pikë së pari duhet që të merret një vendim i rreptë që nuk do të pihet më duhan. Mirë është që përpjekja të nisë në një periudhë kur nuk ka stres të veçantë, për shembull gjatë kohës së pushimeve.

Nëse personi pi shumë cigare, mund të ulë gradualisht numrin e tyre në ditë. Është shumë e rëndësishme që rrethi familjar apo shoqëror të jetë i informuar për këtë përpjekje, në mënyrë që të shmangë duhanin në prani të tij.

Duhet shmangur prania në vende ku pihet duhani.
Nëse përpjekja nuk jep rezultat, duhet filluar nga fillimi në kushte sa më të përshtatshme, që ndihmojnë në ndërprerjen e duhanit.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Si ndikojnë këta faktorë?

2 mënyra për të mbrojtur zemrën