MENU
klinika

Edhe Amerika e shqetësuar...

Zelensky ngre alarmin: Do të ketë Luftë të Tretë Botërore nëse Kina vendos të ndihmojë Rusinë

20.02.2023 - 19:50

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se mund të nisë Lufta e Tretë Botërore nëse Kina mban anën e Vladimir Putin në luftën në Ukrainë.

Pekini mohoi pretendimet se po shqyrton dhënien e “ndihmave vdekjeprurëse” për Rusinë, pasi sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken të shtunën paralajmëroi diplomatin e lartë kinez Wang Yi për pasojat nëse vendi i tij bëhet pjesë e konfliktit.

Blinken tha në një intervistë se Uashingtoni ishte i shqetësuar se Pekini po shqyrtonte furnizimin me armë të Moskës.

“Për ne është e rëndësishme që Kina të mos e mbështesë Federatën Ruse në këtë luftë”, tha Zelensky për të përditshmen gjermane Die Welt.

“Në fakt, do të doja që të ishte në anën tonë. Për momentin, megjithatë, nuk mendoj se është e mundur”, shtoi ai.

“Por unë shoh një mundësi që Kina të bëjë një vlerësim pragmatik të asaj që po ndodh këtu”, shtoi Zelensky.

“Sepse nëse Kina bëhet aleate me Rusinë, do të ketë një luftë botërore dhe unë mendoj se Kina është e vetëdijshme për këtë”, deklaroi Zelensky.

Zelensky tha gjithashtu se Ukraina i kishte kaluar presidentes së Moldavisë Maia Sandu informacione se Rusia po komplotonte një grusht shteti në Moldavi.

“Maia Sandu nuk më kërkoi kurrë ndihmë, por ajo më falënderoi për informacionin. Ajo e di situatën tonë. Ukraina do të jetë gjithmonë e gatshme të ndihmojë Moldavinë”, shtoi ai.

Ndërkohë zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Kinës Wang Wenbin ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se ishte SHBA-ja që po dërgonte pafund armë në fushën e betejës, e jo Kina.

“Janë Shtetet e Bashkuara dhe jo Kina që po dërgon pafund armë në fushën e betejës”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Kinës, Wang Wenbin.

“Ne i nxisim Shtetet e Bashkuara të reflektojnë për veprimet e veta dhe të bëjnë më shumë për të zbutur situatën, për të promovuar paqen dhe dialogun dhe për të ndaluar hedhjen e fajit dhe përhapjen e informacionit të rremë”, tha ai në një konferencë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN