MENU
klinika

Nga hidratimi tek sasia e ushqimit

Disa këshilla praktike për ta bërë më të thjeshtë agjërimin!

24.03.2023 - 12:28

Agjërimi praktikohet për arsye fetare dhe shpirtërore dhe ndonëse i përhapur më së shumti te besimtarët muslimanë, në fakt është praktikë edhe e feve të tjera, si krishtërimi, budizmi dhe judizmi. Disa këshilla praktike që mjekët rekomandojnë për ta lehtësuar sadopak agjërimin e këtij muaji përfshijnë:

– Mos e shmangni vaktin e mëngjesit

Ka vetëm dy mundësi për të ngrënë gjatë Ramazanit: në mëngjes herët para lindjes së diellit (Suhoor) dhe pas perëndimit të diellit në mbrëmje (Iftar). Vakti i mëngjesit mund të jetë i lehtë për t’u kapërcyer, pasi vështirë të kesh oreks aq herët në mëngjes. Sidoqoftë, mjekët thonë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mos e kaloni këtë vakt. Shumë njerëz shkojnë te karbohidratet e thjeshta për vaktin e mëngjesit, por ato nuk japin energji afatgjatë. Në vend të kësaj konsumoni më shumë drithëra të plota, proteina të shëndetshme, fruta, perime etj.

– Hidratohuni

Si të hidratoheni nëse nuk mund të pini ujë midis lindjes dhe perëndimit të diellit? Përdorni kohën kur mund të konsumoni ushqim, për të marrë gjithë hidratimin e nevojshëm. Përpiquni të përfshini në dietë sa më shumë ushqime që përmbajnë ujë (domate, kastravec, luleshtrydhe etj).

– Kini kujdes me ushqimin dhe porcionet

Ushqimet tradicionale mund të jenë të yndyrshme dhe të rënda dhe ndonëse kanë shije të mrekullueshme, mund të ndiheni të fryrë dhe të lodhur më vonë. Përpiquni të hani shëndetshëm ose të krijoni një ekuilibër me “pak nga të gjitha”. Mos harroni se kjo nuk është diçka që zgjat vetëm një ditë, por një muaj.