MENU
klinika

Bashkëpunimi i Jeton Lamit me të shumëkërkuarin

Lëvizjet e Ervis Martinajt ditët para zhdukjes nga Shqipëria

06.03.2023 - 11:32

Një vendim i zbardh i Gjykatës së Lartë që ka të bëjë me mospranimin e rekursit të bërë nga Jeton Lami, efektivi i Policisë i cili u vu në pranga pas u vërtetua se shoqëronte Ervis Martinajn.

Po ndërkohë, që Gjykata ka marrë në shqyrtim kërkesën e efektivit, të vënë në pranga vetëm pak ditë pasi u denoncua zhdukja pa gjurmë e atij që konsiderohet si “mbreti i lojërave të fatit”, Gjykata ka hedhur dritë mbi dëshminë e një vajze të re që kishte bërë shoqëri prej 7 muajsh me Martinajn. Sjellim të plotë rrethanat e faktit që kanë çuar në mbajtjen në qeli të Jeton Lamit, ndërkohë që nëpërmjet këtij vendimi duket qartë që Ervis Martinaj ka lëvizur lirshëm nëpër Shqipëri deri ditën që pretendohet se ka humbur kontaktet

RRETHANAT E ÇËSHTJES
1. Nga aktet e procedimit penal rezulton se; në datë 10.08.2022 shtetasi Faik Haxhi Martinaj, i datëlindjes 15.12.1966, banues në Fushë- Kuqe, paraqiti një kallëzim penal në Komisariatin e Policisë Kurbin. Ai është xhaxhai i shtetasit Ervis Martinaj, datëlindjes 06.10.1982, banues në Fushë-Kuqe, Kurbin. Kallëzuesi bëri me dije se kishin humbur kontaktet me nipin e tij, ndërkohë që ky fundit ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar (Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.42, datë 17.05.2022 ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për veprat penale të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 933/a dhe 334 të Kodit Penal).

Shtetasi Faik Martinaj në kallëzimin e tij ka shpjeguar se në datë 09.08.2022, rreth orës 22.00, janë njoftuar nga një i afërmi i tyre që ndodhet jashtë shtetit dhe që për arsye sigurie nuk e identifikon me emër, i cili kishte humbur kontaktet me nipin e tij Ervis Martinaj. Telefoni i këtij të fundit rezultonte i fikur, çka e bënte të dyshonte se mund të ishte zhdukur nga persona të paidentifikuar. Shtetasi Faik Martinaj shpjegon se që prej kohës që nipi i tij Ervisi është shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë, ai dhe familja e tij nuk kishin pasur kontakte me të dhe nuk kishin dijeni për vendndodhjen e tij.

2. I pyetur lidhur me motivet dhe personat që mund të jenë përfshirë në zhdukjen e nipit të tij, ky shtetas sqaron se që prej dhënies së dëshmisë së shtetasit Nuredin Dumani, i cili e akuzonte nipin e tij Ervisin për disa krime të rënda, kishin filluar edhe problemet për Ervisin, duke hedhur dyshime për grupe kriminale dhe posaçërisht tek shtetasi Endrit Dokle.

Lidhur me faktin e kallëzuar është pyetur si person që ka dijeni për veprën penale edhe shtetasi Mustafa Martinaj, babai i shtetasit Ervis Martinaj, i cili ka dhënë të njëjtat shpjegime lidhur me kohën dhe rrethanat e zhdukjes së djalit të tij Ervis Martinaj, duke deklaruar se kontakti i fundit me të kish qenë në datë 09.08.2022, ora 19:30 (me të afërmin e tyre që ndodhet jashtë shtetit dhe që nuk tregohet se kush është).

3. Pas referimit të akteve, në datë 11.08.2022, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kurbin ka regjistruar procedimin penal nr. 203, viti 2022 për veprat penale “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 109/1 dhe 25 të Kodit Penal. Në datë 15.08.2022, në vijim të veprimeve hetimore është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasja Sadete Kokomani, e datëlindjes 01.10.2000, banuese në Durrës, e cila rezultonte të ishte një nga kontaktet e shtetasit Ervis Martinaj.

Ndër të tjera ajo ka shpjeguar se, me shtetasin Ervis Martinaj është njohur në muajin Janar të vitit 2022, pasi ai i ka shkruar në rrjetin social “Instagram”. Ervisi ka pasur adresën në instagram me emrin “King Simba” dhe foto profili ka pasur një luan. Pas disa komunikimeve, për herë të parë është takuar me Ervisin në Durrës, në datë 07.01.2022, përpara hotel “Palace” në plazh. Ervisi kishte shkuar vetëm, me një automjet “BMW”, seria 7, targat e të cilit nuk i mban mend. Atë ditë është nisur bashkë me Ervisin me mjetin që përmendi më lartë për në Tiranë, por duke qenë se kishte trafik rrugës janë kthyer dhe kanë shkuar tek “Arbëria Palace” në Fushë-Milot, ku kanë pirë kafe dhe më pas kanë shkuar për të ngrënë drekë në Patok, tek lokali i hallës së Ervisit, i cili ishte me shtëpiza të vogla dërrase. Pas këtij takimi kanë vijuar takimet normalisht me Ervisin.

4. Në datë 05.08.2022, rreth orës 17, deklaruesja është nisur me taksi nga Durrësi për në Tiranë, pasi kishte komunikuar me Ervisin në aplikacionin “Telegram”, për të parë një shtëpi që do e merrte me qira. Pasi ka parë shtëpinë, ka marrë një taksi dhe ka shkuar tek “Hygeia” në Tiranë, pasi Ervisi i kishte shkruar që po e priste atje. Ervisi ka qenë në një automjet “Audi” A-8, me targa të huaja, i ulur në vendin e parë të pasagjerit, ndërsa në vendin e drejtuesit ka qenë një person tjetër, që Ervisi e mbante afër vetes si shofer, rreth 30 vjeç, me flokë pak të rëna përpara dhe mbante pak mjekër.

Ajo ka hipur në ulësen e pasme të mjetit dhe janë nisur nga Tirana për në Durrës. Fillimisht bënë një xhiro me mjet deri në Golem dhe më pas kanë shkuar tek hotel “Adriatiku”. E pyetur lidhur me rezervimin e dhomës së hotelit shtetasja Sadete Kokomani ka shpjeguar se, dhomën e ka rezervuar personi që i shoqëronte (shoferi), ndërsa ajo me Ervisin kanë shkuar tek bari i hotelit dhe më pas janë ngjitur tek dhoma e hotelit, ku kanë qëndruar deri ditën e nesërme në datë 06.08.2022 rreth drekës, kohë kur janë larguar nga hoteli.

5. Nga ana e policisë gjyqësore janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pamjet filmike të marra nga kamerat e sigurisë së hotel “Adriatik”, që ndodhet në Durrës, ku pas këqyrjes së pamjeve filmike ka rezultuar se: në sekuencën filmike 21:14:18 të datës 05.08.2022 tek trau i hotelit “Adriatik” vjen një automjet veturë e markës “Audi” tipi AB, ngjyrë e zezë. Pasi kalon pak sekonda ngrihet trau dhe automjeti vijon lëvizjen në ambientet e parkimit të hotel Adriatik.

Pasi ndalon nga mjeti duket që zbresin tre persona, dy meshkuj dhe një femër, të cilët më pas lëvizin në këmbë në drejtim të hotel “Adriatik”. Njëri nga meshkujt, i cili duket trup mesatar, mban të veshur pantallona tre çerekesh ngjyrë të zeza, bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë të bardhë, kapele sportive të zezë dhe atlete, cili më pas është identifikuar si shtetasi Ervis Martinaj, datëlindjes 06.10.1982. Personi tjetër i seksit mashkull, me trup të gjatë, mban veshur pantallona tre çerekësh të zeza me viza të bardha anash, bluzë me mëngë të shkurtra jeshile, atlete të zeza dhe në dorë mban një çantë, i identifikuar si shtetasi Jeton Lami, i datëlindjes 30.01.1994. Personi femër me flokë të gjata të zeza, mban veshur një pale pantallona xhins të shkurtra, një kanotiere te zezë dhe në dorë ka një qese, e identifikuar si shtetasja Sadete Kokomani, e datëlindjes 01.10.2000.

Te tre personat lëvizin bashkë drejt hotelit dhe futen brenda. Në sekuencën filmike 21:42:38, personi me trup i gjatë, që mban veshur pantallona treçerek të zeza me viza të bardha anash, me bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë jeshile dhe atlete të zeza, i identifikuar si Jeton Lami, afrohet tek recepsioni i hotelit, ku pasi komunikon me recepsionisten duket që jep diçka dhe pasi shkruan një formular largohet. Nga këqyrja e regjistrit te hotel “Adriatik” është konstatuar se personi i cili ka rezervuar dhomën e hotelit është shtetasi Jeton Lami, i datëlindjes 30.01.1994, me letërnjoftimin me nr. 340130075C, dokument i cili është fotokopjuar nga personeli i recepsionit të hotelit dhe i është bashkëlidhur formularit të rezervimit të dhomës.

6. Nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi Jeton Lami, i biri i Lutfi dhe Hike, lindur me 30.01.1994 në Tiranë dhe banues në Rrugën “Azem Galica” në Kamzë, Tiranë është punonjës i Policisë së Shtetit, me detyrë N/specialist në Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale për Hetimin dhe Kërkimin, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

7. Nga verifikimet e kryera si më sipër dhe pas referimit të akteve prokurorit, u vlerësua se ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi Jeton Lami, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Mbi bazën e akteve të mësipërme, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim Jeton Lami.

8. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin me vendimin nr. 893-81, datë 23.08.2022 ka vendosur pranimin e kërkesës dhe caktimin ndaj personit nën hetim Jeton Lami të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal

9. Ky vendim është ekzekutuar nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Kurbin në datë 23.08.2022, ora 13.00 dhe në vijim nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin është paraqitur kërkesa për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe marrjen në pyetje të të arrestuarit Jeton Lami.

10. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin me vendimin nr. 894- 82, datë 25.08.2022 ka vendosur: “Pranimin e kërkesës. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasin Jeton Lami, të parashikuar nga nenet 232 dh dhe 238 të Kodit të Procedurës Penale, të vendosur me vendimin nr. 893-81, datë 23.08.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin. Urdhërohet Komisariati i Policisë Kurbin për ndjekjen dhe ekzekutimin e këtij vendimi.

11. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin ndër të tjera ka arsyetuar se, gjykata personin nën hetim e mori në pyetje brenda 3 ditëve nga kapja (ndalimi) e tij, konkretisht ai u ndalua në datë 23.08.2022, ora 13:04 PM, ndërsa marrja në pyetje u realizua në datën 25.08.2022. Në lidhje me ekzistencën e kushteve dhe kritereve për vendosjen e masës së sigurimit arrest në burg dhe verifikimin e shkallës së nevojave të sigurimit, gjykata çmon se ato nuk kanë ndryshuar, referuar faktit se personi nën hetim mbajti qëndrim mohues, duke mos pranuar të merret në pyetje nga ana e gjykatës, por edhe prokurorisë, duke theksuar se është dakord me qëndrimin e mbajtur nga mbrojtësit, ku lidhur me provat, vërtetësinë e tyre dhe veprën penale, që atribuohet do të mbajë qëndrim në një moment të dytë…