MENU
klinika

Ja emrat që i zëvendësojnë

Tre deputetë lënë mandatet për të kandiduar për kryetarë të bashkive

27.03.2023 - 10:59

Tre deputetë kanë dorëzuar mandatin e tyre për të kandiduar në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Gazetarja e ABC News, Esiona Konomi raportoi se paraditen e kësaj të hëne, dorëzoi mandatin Besjan Ajazi, i cili do të kandidojë në Bashkinë e Gramshit për Partinë Socialiste. Vendin e tij në parlament do ta zërë Shkëlqim Bullari.

Ndërkaq, të premten, dorëzuan mandatet dy deputetët e Partisë Demokratike, Belind Këlliçi dhe Luçiano Boçi, të cilët do të zëvendësohen në parlament, respektivisht nga Asllan Dogjani dhe Qamil Xhafa.

“Sapo ka firmosur dorëheqjen e tij Besjan Ajazi. Ai është deputet i qarkut të Elbasanit dhe do të garojë më 14 maj për Bashkinë e Gramshit. Vendin e Besjan Ajazit në parlament në radhët e PS-së, e zë Shkëlqim Bullari, kandidati i kësaj partie në qarkun e Elbasanit, por me përgjegjësi politike në qytetin e Cërrikut. Besjan Ajazi është deputeti i tretë i cili lë mandatin, pasi të premten, këtë gjë e bënë edhe dy deputetët e PD-së. Përkatësisht, Belind Këlliçi, që kandidon për Bashkinë Tiranë dhe vendin e tij do ta zërë Asllan Dogjani. Bashkë me Këlliçin, manatin e dorëzoi edhe Luçiano Boçi i cili kandidon në Elbasan nën logon e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Vendin e Luçiano Boçit do ta zërë Qamil Xhafa”, raportoi gazetarja Konomi.