MENU
klinika

Zbulimi nga studiuesit gjermanë

Çelësi i ngadalësimit të plakjes gjendet në ADN

25.04.2023 - 12:03

Pavarësisht shekujve të kërkimit dhe përparimit në mjekësi, ka ende shumë mistere që mbeten të pazgjidhura, mes tyre kryesori është të kuptuarit se çfarë e shkakton plakjen dhe si mund ta ngadalësojmë ose ta ndalojmë atë.

Por një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Nature mund të ketë gjetur më në fund përgjigjet e këtyre pyetjeve.

Studiuesit nga Universiteti i Këlnit në Gjermani jo vetëm që kanë zbuluar se transkriptimi i gjeneve – procesi në të cilin një qelizë bën një kopje të ARN-së të një pjese të ADN-së – bëhet më i shpejtë me kalimin e moshës, por gjiithashtu bëhet me shumë gabime.

“Ky është, deri më tani, i vetmi moment eureka në jetën time. Dua të them, ky është një lloj zbulimi që nuk e bën çdo ditë”, tha Dr Andreas Beyer, studiuesi kryesor.

Transkriptimi, çelësi i plakjes së shëndetshme

Transkriptimi është thelbësor për kërkimin pasi është procesi në të cilin një qelizë bën një kopje të ARN-së të një pjese të ADN-së.

Kjo kopje është e rëndësishme sepse mbart informacionin gjenetik të nevojshëm për të krijuar proteina të reja në një qelizë. Proteinat përcaktojnë shëndetin dhe funksionin e qelizave, dhe qelizat më pas strukturojnë të gjitha gjallesat.

Për shkak se gjenet u japin qelizave qëllimin e tyre, transkriptimi i tyre duhet të jetë i përsosur.

“Duhet të krijoni sasinë e duhur të transkripteve për secilin gjen dhe të keni një kopje të saktë të sekuencës së gjeneve, por gjithashtu duhet të aktivizoni gjenet e sakta që qelizës i duhen për të funksionuar siç duhet”, tha Beyer.

Ka shumë lloje të ndryshme qelizash në trupin e njeriut: qelizat nervore, qelizat e muskujve, qelizat e gjakut, qelizat e lëkurës, etj. Dhe për shkak se çdo qelizë përmbush një funksion të ndryshëm, një grup i ndryshëm gjenesh aktivizohen (transkriptohen) në çdo lloj qelize.

“Makina” – siç e quan Beyer – përgjegjëse për bërjen e kopjes së transkriptimit të sekuencave të gjeneve quhet Pol II (ARN polimeraza II).

Dhe ajo që ekipi i tij zbuloi ishte se procesi i transkriptimit bëhet më i shpejtë ndërsa ne plakemi, dhe ky transkriptim i përshpejtuar bën që Pol II të bëjë më shumë gabime, duke çuar në kopje në thelb “të këqija” që mund të çojnë në sëmundje të shumta.

“Nëse Pol II bëhet shumë shpejt, ai bën më shumë gabime, dhe atëherë sekuenca nuk është më identike me sekuencën e gjenomit, “tha Beyer.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN