MENU
klinika

Vuçiç mohon “tradhtinë” ndaj Putinit

Dërgimi i armëve në Ukrainë përçan përfundimisht aleatët

15.04.2023 - 11:19

Informacionet e nxjerra nga “Reuters” se Serbia ka rënë dakord të dërgojë armë në Ukrainë kanë trazuar Beogradin dhe Moskën. Vuçiç duket se prej disa muajsh nuk është më aq i palëkundur në qëndrimin e tij, lidhur me të ashtuqujturin “aleat”, por këto dokumente u dukën qartazi si “thikë pas shpine”. Nga një vëzhgim i mediave serbe dhe atyre ruse, duket se situata është trazuar si në Beograd ashtu dhe në Moskë. Agjencia britanike raportoi të mërkurën se Serbia, megjithëse i vetmi vend në Evropë që refuzoi t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, “ka rënë dakord të dorëzojë armë në Kiev ose i ka dërguar tashmë ato”. Reuters raportoi se ishte një dokument i klasifikuar i Pentagonit që përmbledh përgjigjet e qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime ushtarake, ndihmë dhe armë dhe ishte mes dhjetëra materialeve të klasifikuara të publikuara, në atë që konsiderohet si rrjedhja më e madhe e sekreteve amerikane vitet e fundit.

Reagimi i Ambasadave

Ministrat serbë kanë dalë njëri pas tjetrit për të justifikuar dokumentet, me manovra për të bindur Rusinë se ata vijojnë të jenë neutralë sa i takon luftës. Ambasadat e SHBA-së dhe të Ukrainës në Beograd kanë thënë nuk kanë dijeni se Serbia po i shet apo furnizon me armë Kievit, sipas Radio Evropa e Lirë (REL). “Ne nuk mund të komentojmë informacionet e supozuara konfidenciale, por sipas njohurive tona, Serbia nuk po i shet armë Ukrainës”, tha Ambasada e SHBA-së në Beograd. Një përgjigje e ngjashme erdhi nga Ambasada e Ukrainës, me shënimin se gjetjet e tyre bazohen në “deklaratat publike të përfaqësuesve zyrtarë të Serbisë”.

Reagimi i Vuçeviç

Dorëzimi dhe shitja e armëve dhe municioneve në Ukrainë u mohuan kategorikisht të mërkurën nga ministri serb i Mbrojtjes dhe shefi i diplomacisë, duke hedhur poshtë si të pasakta pretendimet nga dokumentet sekrete. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, i quajti “gënjeshtër” informacionet dhe tha se qëllimi i pretendimeve të tilla është destabilizimi i Serbisë dhe futja e saj në një konflikt që nuk e dëshiron. “Serbia nuk i ka shitur dhe as nuk do t’i shesë armë palës ukrainase apo ruse apo vendeve që e rrethojnë atë konflikt,” tha Vuçeviç të mërkurën për portalin rus Sputnik dhe mesazhet e tij janë pothuajse identike me një deklaratë nga Ministria e Mbrojtjes.

Reagimi i Daçiç

Zëvendëskryeministri i parë dhe shefi i diplomacisë Ivica Daçiç publikoi në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme një mohim se Serbia nuk eksporton armë në asnjë vend nëse kjo do të kërcënonte paqen rajonale. “Serbia, duke respektuar aktet ligjore të brendshme dhe ndërkombëtare, nuk eksporton armë dhe pajisje ushtarake në asnjë vend nëse kjo do të mundësonte shpërthimin ose vazhdimin e konflikteve të armatosura, rrezikonte ruajtjen e paqes dhe sigurisë rajonale, ose rrezikonte interesat e saj mbrojtëse”, tha Daçiç. Serbia i përmbahet politikës së saj të neutralitetit ushtarak, shtoi ai, duke pohuar se që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, asnjë armë nuk është eksportuar nga Serbia për asnjërën nga palët në konflikt.

Heshtja e Rusisë

Deklarata e Daçiçit është publikuar edhe në faqen e parë të faqes së saj në anglisht nga agjencia ruse TASS, duke cituar edhe deklaratat e ministrit të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç. Në fillim të marsit, duke reaguar ndaj raportimeve të mediave se armët nga Serbia i janë dorëzuar Ukrainës, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar kategorikisht se “asnjë pjesë e armëve, pajisjeve apo municioneve serbe nuk i është shitur Rusisë apo Ukrainës”. Vetë Moska zyrtare nuk ka reaguar, por duket qartë se Kremlini i ka sytë nga Beogradi dhe po monitoron çdo zhvillim. Siç shkruan “The New York Times”, pyetja më e rëndësishme sipas ekspertëve, është nëse armët serbe kanë përfunduar në duart e Ukrainës, më shumë sesa nëse qeveria e Vuçiç e ka urdhëruar dorëzimin e tyre, apo nëse kjo është bërë pa miratimin e qeverisë nga tregtarët e huaj të armëve. Se kur do të marrë përgjigje kjo pyetje, dhe sesi do të reagojë Moska, mbetet për tu parë, ndonëse në Beograd, me siguri pritet me “ankth”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN