MENU
klinika

Shpërthen peshëngritësi Godelli

“I kam sjellë 50 medalje vendit tim, si më harruat?!”

07.04.2023 - 16:57

Mjaft i ashpër ka qenë në profilin e tij shtangisti Daniel Godelli, i cili ka pritur të jetë pjesë e listës së sportistëve elitarë që dikasteret qeveritare miratuan për dhënien e gradës “kolonel” për disa sportistë, një vlerësim që përkthehet edhe si shpërblim për rezultatet e arritura.

“Bashkë me gëzimin që përjetova për kolegët e mi të cilëve ua di vuajtjet sepse jemi bashkë në këtë rrugë prej vitesh kush më lart e kush më poshtë në rezultate, përjetova edhe një trishtim! Shteti im, atdheu ku unë u linda, u rrita dhe nuk u largova edhe pse ofertat ishin të pafundme, më kishte harruar? Pse vallë? A nuk e di shteti im se kush jam unë? A nuk e di shteti im që unë Daniel Godelli i kam dhuruar atdheut tim mbi 50 medalje!

Flasim këtu për medalje ari, argjendi e bronzi! Besoj se shteti im nuk e ka harruar që unë jam i vetmi kampion bote në dygarësh që Shqipëria ka deri më sot për 20 vjeçarët”, thekson ndër të tjera Godelli. Më pas ai është i drejtpërdrejtë në qëndrimin e tij. “Ndjej një keqardhje shumë të madhe sot që shteti im më harroi! Janë të shumët kufomat që vijnë vërdallë dhe më pëshpëritin në vesh që nuk ka rëndësi që ti Daniel ke sjell 50 medalje për Shqipërinë, rëndësi ka të lidhesh si këpushat pas ndonjë pushtetari ti bësh lavde e këngë e më pas ai për lëmoshë të të shpërblejë me ndonjë dekorim!” – vazhdon peshëngritësi nga Peqini.

Ai në pëfundim të statusit të tij në rrjetet sociale thekson: “Unë mendoj, besoj dhe gjykoj që i tejkaloj kriteret që Republika e Shqipërisë ka vendosur për të më cilësuar si sportist elitar! Unë dua të besoj që kjo që sapo ndodhi ishte thjeshtë një harresë dhe një neglizhencë nga ngarkesa e madhe e njerëzve që u morën me plotësimin e kësaj liste, edhe pse nuk mund të harrohet një sportist si Daniel Godelli që ka që nga viti 2006 që i sjell medalje Shqipërisë sonë të bukur! Jam në pritje të korrigjimit sa më shpejt të kësaj harrese që ka ndodhur kundrejt 50 medaljeve të mia, Ballkanike, Europiane dhe Botërore nga institucionet përkatëse”, nënvizon Godelli.