Presidenti Bajram Begaj ka nisur ditën e sotme një vizitë dy ditore në Itali i shoqëruar nga zonja e parë, Armanda Begaj.
Ai është pritur në takim nga presidenti Italian Sergio Mattarella. Pas ceremonive të rastit, Presidenti Begaj dhe Presidenti Mattarella, zhvilluan një bisedë kokë më kokë e më pas kryesuan delegacionet zyrtare në një takim të zgjeruar.
Gjatë takimit të zgjeruar midis dy delegacioneve, Begaj vlerësoi marrëdhëniet historike e tradicionalisht miqësore midis dy vendeve, solidaritetin dhe gjendjen pranë njëri-tjetrit në momentet më të vështira e delikate, në pjesën më të madhe të historisë së dy popujve.
Begaj shprehu mirënjohje për vullnetin e palës italiane për të përmbyllur procedurat e marrëveshjes për sigurimet shoqërore dhe shprehu besimin se kjo marrëveshje do të bëhet shumë shpejt efektive, për të ndihmuar si shqiptarët ashtu edhe italianët që jetojnë e punojnë respektivisht në të dy vendet.