MENU
klinika

Beteja vendimtare

I mbarojnë municionet, grupi Wagner njofton tërheqjen nga Bakhmuti më 10 maj

05.05.2023 - 16:31

Udhëheqësi i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin njoftoi të premten se më 10 maj do të tërhiqte luftëtarët e tij nga qyteti ukrainas i Bakhmutit, për shkak të mungesë së municioneve. Përmes një deklarate, ai tha se grupi Wagner parashikohej të merrte kontrollin e qytetit më 9 maj, dita që në Rusi shënon fitoren ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore; mirëpo, prej ditës së hënë atij i janë ndërprerë furnizimet me municion për artilerinë.

Ai paralajmëroi se pa municione, njësitë e tij private ushtarake ishin të destinuara të shkonin drejt “një vdekjeje të pakuptimtë”. Yevgeny Prigozhin ka shprehur me kohë ankesa për mbështetje të pamjaftueshme nga Rusia për mercenarët e tij në Ukrainë.

Duke folur mbi këtë çështje ditën e premte, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se i kishte parë njoftimet në media, por “nuk mund të bënte komente, sepse kjo ka të bëjë me operacionin special ushtarak”. Ndërkohë, të enjten në mbrëmje, Ukraina rrëzoi një prej dronëve të saj, i ngritur mbi qendrën e Kievit, i cili ishte me defekte teknike gjatë fluturimit.

Njoftimet e para nga zyrtarët e qeverisë ukrainase thanë se mjeti ajror pa pilot Bayraktar TB2 ishte dron armik, por më vonë forcat ajrore pohuan se bëhej fjalë për një dron ukrainas. Forcat ajrore ukrainase njoftuan nëpërmjet një deklarate se prania e pakontrolluar e dronit në qiell mund të kishte shkaktuar “pasoja të padëshirueshme”. Nuk ka patur njoftime për ndonjë të lënduar si pasojë e rrëzimit të dronit.

Marrë nga VOA