Gabriel Escobar, i dërguar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar se pret nga Kosova ta propozojë materialin për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Me këtë deklaratë nuk po pajtohet presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili të martën në një paraqitje në Radio Televizionin e Serbisë e ka kundërshtuar njeriun e autorizuar të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor.
Vuçiç ia ka kërkuar Escobarit që ta lexojë marrëveshjen e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë për Asociacionit – që sipas interpretimit të presidentit serb “Kosova nuk ka të drejtë të propozojë diçka tjetër”, pos versionit të nënshkruar në tryezën e Brukselit një dekadë më parë.
“Të lexoni se çfarë është shkruar në Marrëveshjen e Brukselit dhe anekset e saj, në parim. Autoritetet e Prishtinës nuk kanë asnjë autoritet apo kompetencë”, ka thënë ai.
Në të njëjtën mënyrë si të dërguarit amerikan, presidenti Aleksandar Vuçiç i është përgjigjur dhe shefit të Politikës së Jashtme të BE, Josep Borrell.
“Borell ka të drejtë. Serbia është e vetmja që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Përderisa mund të bëjmë një politikë të pavarur dhe të pavarur, do ta bëjmë, kur nuk mundemi do t’i informoj qytetarët për këtë, por ne kemi arritur të mbajmë qëndrimet tona që kemi formuluar për një vit e tre muaj”, është shprehur ai.