MENU
klinika

Vuçiç pas takimin me QUINT për tensionet në veri

“S’do them asnjë fjalë, është më mirë për të gjithë”

14.06.2023 - 11:30

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk do të komentojë asgjë pas takimit me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it.

“Kam marrë vendimin që të mos them asnjë fjalë për takimin me përfaqësuesit e vendeve të QUNIT-it dhe me shefin e delegacionit të BE-së në Serbi. Mendoj se është më mirë për të gjithë”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.

Presidenti i Serbisë, mëngjesin e së mërkurës, më 14 qershor, ka takuar përfaqësuesit e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, si dhe me shefin e delegacionit të BE-së.

Takimi ka ndodhur një ditë pasi Policia e Kosovës ka arrestuar Millun Millenkoviç-Lunet në veri të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Millenkoviq ishte një nga organizatorët e sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan dy javë më parë.

Tensionet në veri të Kosovës u shtuan në fund të majit kur policia e Kosovës futi kryetarët e rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

Komuniteti ndërkombëtar e ka fajësuar Kosovën për situatën e krijuar në veri.

Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri, ka mësuar Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike.

Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare.

Ata kanë thënë se takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes. /REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Nuk parashikojmë të marrim masa ndaj individëve..."

SHBA sanksione ndaj Kosovës? DASH reagon për mediat në Prishtinë