MENU
klinika

Tensione në mbledhje

Zgjedhje të reja në PD, hapet gara për kreun, militantët e Bashës tentojnë të godasin deputetët

07.06.2023 - 09:49

Në mbledhjen e Kryesië së Partisë Demokratike të mbajtur ditën e djeshme, më 6 qershor, u vendos hapja e procesit zgjedhor për mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetarin e Partisë Demokratike. Me vendimin e Kryesisë i cili u miratua me 17 vota pro, 2 vota kundër dhe 3 abstenime, zgjedhjet për kreun e kësaj force politike pritet të mbahen më 29 korrik 2023.

Kryesia ka lënë afat që deri më 20 qershor të dorëzohen kandidaturat për kreun e PD-së, ndërsa kandidatët do të kenë rreth 1 muaj afat për të bërë fushatë zgjedhore. Konkretisht nga data 24 qershor deri më 27 korrik dhe më pas mbahen zgjedhjet.

Deri më 15 korrik, çdo degë e Partisë Demokratike, duhet të evidentojë anëtarët me të drejtë vote. Më pas, për të miratuar këto zgjedhje, brenda muajit shtator duhet të mbahet Kuvendi Kombëtar i PD-së.

Grupi i PD parashtroi platformën me 5 pika ku përfshihen dhe hapat që sipas tyre do të sjellin procesin e riorganizimit brenda PD. Krijimin e një grupi pune përbashkues për ndjekjen dhe realizimin e procesit të riorganizimit, sipas një plani të qartë, transparent dhe gjithëpërfshirës, që ndjek këto hapa:
 Hapi i parë: Hapja e partisë dhe certifikimi i anëtarsisë aktuale;
– Hapi i dytë: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege;
– Hapi i tretë : Procesi i zgjedhjes së kryetarit të Partisë.

Ndërkohë, kjo mbledhje u shoqërua edhe me tensione të shumta, përplasje, dhunë verbalë dhe gati edhe dhunë fizike në sallën ku ajo u mbajt.

Burime për mediat bënë me dije më herët se Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Helidon Bushati, Dashnor Sula, Lefter Geshtenja, Bledion Nallbati, Dhurata Çupi u larguan nga mbledhja më parë se të tjerët, rreth orës 1 të mesnatës dhe militatët që mbështesin, ish-kreun e PD, Lulzim Basha, të cilët ndodheshin jashtë ambienteve të sallës tentuat t’i godasin.

Ditën e djeshme deputetja demokrate, Jorida Tabaku,  e përfolur si kandidate për të marrë kryesimin e kësaj force politike, ka refuzuar propozimin e bërë nga Gazment Bardhi. Në mbledhjen e Kryesisë, Tabaku ka refuzuar të marrë drejtimin e partisë.

“Një vit më parë, z. Basha më propozoi që pas dorëheqjes së tij të merrja rolin e kryetares së emëruar të PD. Një mundësi që e refuzova”, është shprehur politikania demokrate, duke theksuar “Kam vendosur që të mos e pranoj propozimin e z. Bardhi për drejtimin e komanduar të Partisë Demokratike.”

Vendimi i Kryesisë së PD-së
PËR ORGANIZMIN E PROCESIT ZGJEDHOR PËR KRYETAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Në mbështetje të pikës 6, të nenit 10, neneve 24,25,45, 46 dhe 53 të Statutit të PDSH-së, duke vlerësuar situatën e vështirë që kemi kaluar, situatën aktuale të strukturave të partisë dhe vakancat e krijuara ne disa nivele duke filluar nga Kryetari i PDSH e deri në bazë, bazuar në kërkesën e Kolegjit të Kryetarëve për nevojën emergjente për zhvillimin menjëherë të zgjedhjeve për Kryetarin e PDSH si dhe riorganizmit të plotë të partisë, Kryesia e Partisë në mbledhjen e datës 6 Qershor 2023

VENDOSI:

Fillimin e menjëhershëm të procesit të evidentimit të antarësisë, dhe organizimit të zgjedhjeve për kryetar të PDSH.

1. Në çdo degë të PD brenda datës 15 korrik kryhet procesi i plotë i evidentimit të antarëve me të drejtë vote sipas përcaktimeve të nenit 25 të statutit.
a. Kryetari i degës ngre grupin e punës të degës i cili ka për detyrë të kryejë evidentimin e antarëve me të drejtë vote;
b. Grupi i punës në degë bën evidentimin e antarësisë dhe strukturave në detyrë brenda datës 13 korrik.
c. Lista e përpiluar sipas formatit në aneksin 2 depozitohet pranë sekretariatit të PDSH.

Komisioni Zgjedhor përpilon listën kombëtare të antarësisë me të drejtë vote sipas  përcaktimeve të nenit 25.

2. Organizimi i procesit për zgjedhjen e kryetarit të PDSH:
a. Procesi zgjedhor drejtohet nga Komisioni Zgjedhor i Partisë;
b. Pranë Komisionit Zgjedhor, secili kandidat paraqet kërkesën për kandidim brenda datës 20 Qershor 2023;
c. Fushata zgjedhore zhvillohet nga data 24 Qershor deri në datën 27 korrik 2023;
d. Zgjedhjet për kryetar të PDSH zhvillohen në datë 29 korrik 2023.

3. Kryesia e PDSH brenda datës 12 qershor 2023, cakton grupet e punës në nivel qarku që në bashkëpunim me deget mbikqyrin procesin e evidentimit te antarësisë;

4. Kuvendi i jashtzakonshëm statutor zhvillohet brenda muaji shtator 2023;

5. Ngarkohen Sekretari i Përgjithshëm, Sekretariati dhe Komisioni Zgjedhor për njoftimin dhe ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


'Rikthimi' i Lulzim Bashës në Kuvend e jashtë...

Alibeaj heq Tabakun nga delegacioni në Asamblenë e KiE