MENU
klinika

“Ndotja në Lezhë po e kthen Drinin në lumë të vdekur”

BIRN: Bizneset e turizmit po humbasin vizitorë

06.07.2023 - 19:04

Është ora 19:30 minuta në një ditë të nxehtë korriku, por në shëtitoren në brigjet e lumit Drin në qytetin e Lezhës nuk ka këmbë njeriu.

Ndonëse është e vetmja shëtitore e qytetit dhe ka kushtuar rreth 1 milion euro, qytetarët i shmangin lëvizjet aty, për shkak të aromës së rëndë që të shoqëron përgjatë saj, e cila krijohet nga ndotja masive e lumit.

“Unë kam shtëpinë këtu afër dhe dal e lëviz shpesh në shëtitore,” tregoi Gjok Prenga, një banor i Lezhës. “Është bërë shumë e mirë, por era që të shoqëron është shumë e rëndë”, shtoi ai.

Burri thotë se aroma e rëndë nga ndotja e lumit ndjehet gjatë gjithë vitit, por thekson se në verë bëhet edhe më keq. Ajo që më herët ka qenë një degë e lumit Drin, tani është sipas tij vetëm një kanal që mbledh ujërat e zeza të qytetit.

“Kjo ndodh nga ndotja e lumit, pasi siç e shikoni derdhen të gjithë ujerat e zeza të qytetit dhe uji nuk lëviz fare”, shpjegoi Prenga.

Raporti i “Cilësisë së ujërave sipërfaqësore në vendin tonë 2021” i përpiluar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, e veçon këtë segment të Drinit si më të ndoturën.

Raporti që e klasifikon lumin Drin si në “gjendje të varfër” apo shumë të ndotur, thotë se klasifikim varet kryesisht prej kësaj pjese të rrjedhës. “Bazuar mbi vlerat limite për të gjithë parametrat e DKU, stacionet D1, D2, D3, Bu1, Bu2 janë të një cilësie shumë të mirë Klasa II-Gjendje e mirë, por stacioni DLe vlerësohet në Klasën IV – Gjendje e Varfër”, shkruhet në raport, ku DLe është kodi për Drin Lezhë, apo stacioni para se ujërat të derdhen në detë në zonën e Kune-Vainit.

Bashkia e Lezhës e pranon situatën e rënduar. Kryebashkiaku Pjerin Ndreu i tha BIRN se një projekt për menaxhimin e ujërave të zeza e të bardha të qytetit, me financim nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), do të fillonte të zbatohej këtë vit.

“Brenda këtij viti në Lezhë do të nisë zbatimi i projektit të kanalizimeve të ujerave të bardha dhe të zeza të qytetit. Eshtë një investim mjaft i rëndësishëm”, tha Ndreu, ndërsa pretendoi se investimi të cilin ai e kishte premtuar që në vitin 2021, ishte vonuar për shkak të pandemisë.

Lum vetëm në emër
Prej shumë vitesh lumit Drin në Lezhë i ka mbetur vetëm emrin, pasi për shkak të mungesës së prurjeve ai e ka ngadalësuar rrjedhën e tij për në det, duke u kthyer në një lum në pamje të “vdekur”.

Ekspertët e mjedisit thonë se kjo erdhi për shkak të kufizimit të prurjeve, pas projektit të bonifikimit dhe kullimit të zonës së Zadrimës në vitit 1966 dhe mbylljes përfundimtare të rrjedhës pas ndërtimit të hidrocentralit në Ashtës.

“Për fat të keq lumi Drin e ka humbur funksionin e tij natyror, duke u kthyer në rrezik përmbytje dhe burim të madh ndotjeje sidomos për qytetin e Lezhës,” tha Jak Gjini, ekspert mjedisor.

“E më pas që prej ndërtimit të HEC-it të Ashtës ju devijua të gjitha prurjet dhe nuk rrjedh më asnjë pikë uji në shtratin e Lumit të moçëm”, shtoi ai.

Sipas tij këto kushte e kanë kthyer Drinin në në një kanal ujëmbledhës ku shkarkohen përrenj e kanalet kulluese të zonave që përshkon, e po ashtu derdhen ujerat e zeza të qytetit të Lezhës.

Në kohë dimri kur ka reshje shiu Drini kthehet në kërcënim për përmbytje. Kjo ndodhi në janar të këtij viti, kur në disa pika lumi doli nga shtrati, ndërsa në verë është burim ere të rëndë.

“Uji nuk lëviz fare dhe aty shkarkohen dhe ujëra të zeza, por dhe mbetje të ndryshme”, tha Gjini.

Zgjidhjen për të shmangur ndotjen dhe përmbytjet gjatë dimrit, ekspertët e mjedisit e shohin tek rivitalizimi i Lumit Drin. Për këtë ka pasur disa kërkesa, por që deri tani nuk janë marrë në konsideratë nga autoritetet shtetërore.

“Shoqëria civile e Lezhës i bën thirrje strukturave përgjegjëse të ndërhyhet në rivitalizimin e kanalit të Drinit, në ndalimin e plotë të hedhjes së ujërave të zeza në Lumin Drin, të banorëve dhe kompanive që ushtrojnë aktivitet ekonomik e hedhin në mënyrë të pakontrolluar”, tha Zef Imeraj, drejtues i Klubit Ekologjik Lezhë.

Imeraj shpjegoi se për të pastruar zonën do duhet të bëhet rikthimi i prurjeve të ujit në degën e Drinit të Lezhës.

“Ka dhe një studim të Akademisë së Shkencave që është bërë në vitin 2005 e që ka ardhur koha që të zbatohet”, shtoi ai.

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu e sheh zgjidhjen tek lobimi. Ai thotë se përveë projeketeve të menaxhimit të ujërave të zeza të qytetit, do të ndërhyhet për të sjellë më shumë ujë në lumë.

“Duhet të lobojmë fort që të rikthehen një pjesë e prurjeve nga Ashta në lumin Drin që uji të jetë i rrjedhshëm gjatë gjithtë kohës,” tha Ndreu. “Në këtë mënyrë i jepet zgjidhje përfundimtare kësaj problematike”, shtoi ai.

Pasoja edhe në lagunë
Ndotja e lumit Drin në Lezhë, ka sjellë ndikim negativ edhe për zonën e banuar përreth lagunës së Kune-Vainit dhe në bregdetin e Shëngjinit. Banorët të zonës dhe peshkatarë shprehen se problematika më e madhe është kryesisht gjatë stinës së verës. Uji i lagunës mbulohet nga algat dhe ka aromë mjaft të rëndë.

“Unë kam vite që jetoj këtu, por edhe punoj në lagunë me sektorin e peshkimit. Gjatë viteve të fundit, ndotja është shumë e madhe sidomos gjatë stinës së verës”, thotë Prek Nika, banorë i Kune-Vainit.

Nika shpjegoi se në vitet e kaluara ka pasur raste që ndotja shkaktonte ngordhje masive të peshqve.

“Ka patur raste që kanë ngordhur edhe peshqit brenda kësaj lagune si pasojë e ndotjes. Shteti duhet të ndërhyjë për të gjetur dhe eliminuar burimin e ndotjes, pasi në këtë situatë laguna po degradon”, paralajmëroi ai, duke shtuar se banorët e zonës rrezikonin shëndetin për shkak të situatës.

Biznest e turizmit në zonë thonë se prej vitesh po humbasin vizitorë. Komunikimi i detit me lagunën ka krijuar ndotje të madhe këtu, duke dëmtuar rëndë natyrën e duke falimentuar edhe bizneset që shtrihen përgjatë vijës bregdetare.

“Ka pesë vite që në fillim të sezonit turistik zona këtu ndotet. Uji dhe brezi i rërës mbulohen nga algat për shkak se ka një kanal që komunikon mes detit dhe lagunës.”, tha Albert Paci, banor i zonës.

Ai shpjegoi se diçka e tillë po jep ndikim shumë negativ për turizmin, pasi pushuesit e kanë braktisur Kunen për shkak të ndotjes. “Ka vite që numri i pushuesve këtu ka ardhur gjithnjë në rënie”, theksoi Paci.

Në raportin për “Cilësinë e ujërave sipërfaqësore në vendin tonë 2021” Agjencia Kombëtare e Mjedisit vë në dukje se zona në fjalë ka ndotjen më të lartë në të gjithë rrjedhën e Drinit. Të dhënat e analizave tregojnë prani më të lartë të kimikateve dhe ndotësve në këtë zonë.

“Në afërsi të stacionit të lumit Drin –Lezhë (Kune-Vain para derdhjes në det) zhvillohen aktivitetet e prodhimit të produkteve ushqimore dhe pijeve, trajtim dhe përpunim lëkure, trajtim i ujërave të ndotura, industria minerare – gurore si dhe fermë e rritjes së derrave”, thuhet në raport.

Por drejtori i AKM-së për Rajonin e Lezhës, Bardhok Frroku tha se zyra e tij nuk ka gjetur ndotës prej kompanive që derdhin ujëra në lumë. Frroku i tha BIRN se kishte kryer disa inspektime, sipas të cilave ujërat që derdheshin në lumë ishin brenda normave.

“Kur kemi patur indicie per shkarkim të lëndëve të rrezikshme në lum, normalisht që e kemi verifikuar situatën dhe kemi bërë dhe analiza për të parë nivelin e ndotjes”, tha ai.

“Konkretisht kemi kontrolluar dy subjekte që kanë shkarkim në lum e po ashtu edhe ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizime në Lezhë dhe nga analizat që kemi bërë nuk ka rezultuar që të kenë kryer ndotje”, përfundoi Frroku./Reporter.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN