MENU
klinika

Protestuan për pagën

‘E pësojnë keq’ 151 minatorë të Trepçës

21.08.2023 - 12:35

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të gjigantit të dikurshëm Ballkanik dhe më gjerë Trepça, Enis Abdurrahmani, gjatë një interviste për KosovaPress, ka bërë të ditur se borxhet e trashëguara nga menaxhmentet e kaluara, të cilat kapin vlerën mbi 20 milionë euro, Trepça Sh.A. ka arritur që në masë të madhe t’i zvogëlojë falë angazhimit dhe subvencioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Sipas tij, duke ristrukturuar disa prej njësive biznesore të ndërmarrjes, Trepça tashmë është në rrugë të mbarë dhe po kthehet fuqishëm në ndërmarrje profitabile.

Ai përmendi progresin e madh dhe në shumë sfera të ndërmarrjes gjatë dy viteve të fundit, ndërsa potencoi mbështetjen e jashtëzakonshme nga ana e qeverisë, sidomos në investime kapitale, revitalizimin e minierave etj, vetëm që Trepça të kthehet fuqishëm në një ndërmarrje profitabile, me qëllim primar maksimizimin e profitit dhe rritjen e vlerës së aksioneve.

Si rezultat i kësaj, shtoi Abdurrahmani, ndërmarrja ka arritur të nënshkruajë marrëveshje për investime kapitale mbi 15 milionë euro, si dhe për ndarje të një fondi kapital punues për ndërmarrjen.

Ai tha se Trepça Sh.A. ka pranuar mbi 210 praktikantë në afat kohor prej gjashtë muajsh për t’i përgatitur ata për punë, 50 prej të cilëve do të punësohen nga data 1 shtator i këtij viti.

Abdurrahmani sqaroi se për të gjitha këto suksese dhe të arritura të ndërmarrjes me të cilën udhëheqë, dëshmon më së miri opinioni i auditorit të pavarur, ku siç tha ai, Trepça për herë të parë prej pasluftës, merr opinion të kualifikuar.

Ai u shpreh se përkundër progresit të arritur deri tani, ndërmarrjen e presin punë dhe angazhime të mëdha në të ardhmen.

Abdurrahmani foli edhe për problemet, vështirësitë dhe sfidat me të cilat po përballet ndërmarrja, me ç’rast tha se edhe pse janë bërë përpjekje për të zvogëluar shpenzimet operative dhe rritjen e të hyrave, Trepça ka pasur disa kriza si rezultat i faktorëve të jashtëm.

Kryeshefi i Trepçës ka përmendur shifrat prej 40 mijë deri në 50 mijë euro humbje ditore në raste kur sabotohet puna, andaj apeloi tek minatorët që të mos bojkotojnë, por t’i qasen punës me seriozitet dhe angazhim maksimal për të mirën e përgjithshme.