MENU
klinika

Analiza

“Ëndrra kineze”, më e largët se kurrë…

24.08.2023 - 08:30

Kina ka qenë prej kohësh “motori” i rritjes ekonomike globale. Por në javët e fundit, ngadalësimi i saj ekonomik ka alarmuar liderët dhe investitorët ndërkombëtarë. Në fakt, për herë të parë në dekada, ekonomia e dytë e botës është vetë problemi. Për më tepër, gjiganti aziatik po përballet me disa sfida afatgjata, si kriza e popullsisë dhe marrëdhëniet e tensionuara me partnerët kryesorë tregtarë si Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Kina ka një strategji kombëtare afatgjatë të quajtur “Ëndrra Kineze” për të kapërcyer Shtetet e Bashkuara për t’u bërë fuqia kryesore hegjemoniste në botë deri në vitin 2049, megjithatë tani ajo ëndërr duket më e largët se kurrë.

Sfidat e Kinës

Ekspertët perëndimorë janë vënë në fokus të një studimi të fundit të kryer nga Shoqata e Planifikimit Familjar, i cili thotë se përqindja e çifteve pa fëmijë është dyfishuar në një periudhë shumë të shkurtër kohore; ndërmjet 2017-2022, pra u rrit nga 20.6 për qind në 43.2 për qind. Disa ekspertë kanë arritur në përfundimin se ky është një shqetësim demografik tektonik, pra një trend që nuk është regjistruar ende në historinë e njerëzimit. Një ngadalësim kaq dramatik demografik në një vend me më shumë se 1.4 miliardë banorë, sigurisht që do të transformojë tablonë ekonomike dhe sociale të planetit, jo vetëm të Kinës. Me fjalë të tjera, është bërë absolutisht e qartë se Kina po përballet me sfidën më të vështirë në historinë moderne, më e madhe madje se pjesëmarrja në përballjen globale gjeopolitike që filloi pas pushtimit të Ukrainës nga regjimi i Putini dhe në të njëjtën kohë duhet të zgjidhë sfidat ekonomike ‘të përditshme’ që nuk duken më lehtësisht të kapërcyeshme.

Rënia ekonomike

Kinezët aktualisht po përpiqen të stimulojnë ekonominë duke ulur kostot e huamarrjes, por në mënyrë të tillë që të ruajnë stabilitetin e sistemit bankar kinez, i cili është rritur në 56 mijë miliardë dollarë, dhe në të njëjtën kohë të ndalojë dobësimin e monedhës. Megjithatë, përveç vendosmërisë së Partisë Komuniste Kineze për të vazhduar me hapa të mëdhenj përpara, papritur në Kinë, sipas një prej skenarëve, ekziston edhe një kërcënim për recesion. Situata me industrinë e zhvilluesve të pasurive të paluajtshme është veçanërisht dramatike. Askush nuk është i sigurt se sa nga ai treg financiar prej 2.9 trilion dollarësh do të mbijetojë. Gjithnjë e më shumë pjesë të sektorit financiar, trustet dhe zhvilluesit nuk janë në gjendje të paguajnë detyrimet e tyre në kohë, siç ndodhi javën e kaluar me “Country Garden”, që ringjalli kujtimet e Evergrande.

Papunësia

Në fakt, problemet strukturore të Kinës filluan të bëhen më komplekse dhe të ndërthurura. Për shembull, duke parë nga jashtë, përshtypja është se të gjithë kanë një punë në Kinë, por kjo nuk është e vërtetë. Shkalla e papunësisë së të rinjve po rritet me një shpejtësi të tillë sa Partia Komuniste Kineze nuk publikon më të dhëna. Papunësia e të rinjve është vetëm një nga problemet me të cilat përballet Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë pas SHBA-së, pasi rimëkëmbet më ngadalë se sa pritej nga tre vjet izolim nga pandemia. Shkalla e papunësisë urbane për njerëzit e moshës 16 deri në 24 vjeç është rritur në mënyrë të vazhdueshme nga muaji në muaj këtë vit, duke arritur një rekord prej 21.3 përqind në qershor, vuri në dukje NBC News.

Rënia e popullsisë

Eksperti i Kinës, Tor Vizsla, shkruan: “Normat e tyre të përditësuara të lindjeve japin një pamje të zymtë të së ardhmes së tyre. Ato tregojnë se ka më pak të rinj dhe më shumë të moshuar; por duke pasur parasysh pabarazinë, të rinjtë do të duhet të kontribuojnë në shërbimet sociale dhe industrinë mjekësore. Kjo do të rrisë jashtëzakonisht koston e punës kineze, por pa përfitimin e një ekonomie konsumatore si e SHBA.”Kina në fakt po humbet njerëz çdo vit dhe sipas OKB-së, ajo është zyrtarisht në rënie të popullsisë. “Prandaj situata e sotme nuk është as një surprizë dhe as një krizë e papritur. Përkundrazi, është rezultat i një djegieje të ngadaltë të zgjatur dhe një kombinimi të shumë faktorëve”, analizon William Hurst, një njeri që ka ndjekur çështjen e Kinës prej dekadash.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Project Syndicate

Sfida e Biden me Kinën