MENU
klinika

Asnjë atentat dhe asnjë i vrarë me armë

Vlora del nga “harta e zezë” e krimit…

18.08.2023 - 12:05

Qyteti bregdetar i Vlorës ka dalë më në fund nga “harta e zezë” e krimit, duke bërë sot plot një vit pa asnjë atentat dhe asnjë person të vrarë me armë. Ndryshe nga vitet e kaluara ku ngjarjet kriminale ndodhnin në mes të qytetit, për të treguar forcën e grupeve kriminale, ky vit ka qenë i qetë.

Gazetari vlonjat Enrik Mehmeti thotë se pas 39 vitesh, sot bëhet një vit që në Vlorë nuk ka pasur atentat dhe as persona të vrarë.

“Gjatë verës së çdo viti të kaluar , apo edhe në dimër, atentatet apo vrasjet kanë qenë të pranishme, deri para 15 viteve mënyra më e përdorur e atentateve ka qenë nëpërmjet eksplozivit me show për të treguar forcën ndaj kundërshtarëve dhe më pas atentatet e mirëorganizuara ku gati çdo herë vrasjet kanë ngelur të pa zbardhura”, shkruan ai.

Më tej, Enrik Mehmeti u referohet dhe parandalimit të dy ngjarjeve kriminale nga Policia e Vlorës, një me armë me silenciator dhe një me eksploziv. Për të dy rastet, personat që ishin nisur për atentat u zbuluan dhe ndaluan në kohë nga Policia.

“Atentate apo vrasje do të ketë gjithmonë ashtu si në shumë vende të botës por plotësimi i një viti të plotë për herë të parë në 39 vite ,pa viktime atentati apo vrasje me armë, e nxjerr Vlorën nga një “harta e zezë” dhe i jep shkëlqimin e Vlorës së Turizmit”, vijon gazetari.