Spiro Iljadhi, pronari i lokalit “Orange” në Sarandë, është arrestuar Policia Kufitare në Qafë Botë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, sepse në lokalin në pronësi të tij humbi jetën kamarieri 17 vjeçar.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Botë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për goditjen e krimeve kufitare dhe kapjen e shtetasve në kërkim, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin në kërkim S. I., 37 vjeç, banues në Sarandë.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar ndaj këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi më datë 26.08.2023, në lokalin në pronësi të tij, për shkak të këputjes së kavos së ashensorit, humbi jetën një 17-vjeçar i punësuar në këtë lokal”, njofton Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Një muaj më parë në “Orange” në Sarandë vdiq kamarieri Antonio Delilaj. Ky i fundit edhe pse 17 vjeç, ishte punësuar në lokalin e Iljadhit për të siguruar të ardhura. Kavoja e ashensorit u këput dhe e zuri Antonion nën vete, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.