Dollari amerikan është rritur ndjeshëm në sesionin e sotëm, duke përfituar nga statusi i “parajsës së sigurt”, pas shpërthimit të konfliktit mes Izraelit dhe grupit palestinez, Hamas. Frika më e madhe e investitorëve është përhapja e konfliktit edhe në vendet e tjera të Lindjes së Mesme. Ndjesia e riskut është e brishtë në tregje, për shkak të paqartësive në lidhje me përmasat që do të marrë konflikti më i përgjakshëm në 50 vitet e fundit.
Në sesionin e sotëm, monedha e Izraelit, shekel humbi rreth 2.5% të vlerës përballë dollarit amerikan, në rreth 3.93, pasi Banka Qendrore në vend njoftoi se do të shesë rreth 30 miliardë dollarë monedhë të huaj në tregun e hapur për të ruajtur stabilitetin e monedhës.
Ndërkohë, indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 106.5, jo shumë larg nivelit më të lartë në 10 muajt e fundit. Monedha e gjelbër ka gjetur një mbështetje edhe nga të dhënat mbi punësimin në SHBA, që u publikuan ditën e premte, që treguan se ekonomia më e madhe në botë krijoi edhe 336 mijë vende të reja pune, numri më i lartë në 8 muajt e fundit.
Tashmë, investitorët vlerësojnë 78% mundësi që Rezerva Federale të mos ndryshojë normën bazë të interesit në takimin e nëntorit. Në anën tjetër, euro po gjendet nën presion nga të dhënat e publikuara në Gjermani, që treguan se prodhimi industrial ra me 0.2% për gushtin, duke rritur frikën për një recesion në Eurozonë.