MENU
klinika

"Drafti në përputhje me Kushtetutën"

Ambasadori i SHBA: Ka urgjencë për implementimin e Asociacionit

09.11.2023 - 15:03

Ambasadori i SHBA, në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një konferencë për media ka thënë se ka urgjencë nga vendet e Bashkimit Evropian për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, drafti është shqyrtuar nga BE-ja e SHBA-ja dhe është përgatitur në mënyrë që të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Hovenier ka thënë se SHBA-ja në vazhdimësi e ka potencuar se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës dhe nuk duhen kërkuar ndryshime kushtetuese.

“Duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv. Nuk duhet të jetë një shtresë tjetër qeverisëse. Duhet të jetë në përputhje me pikëpamjet që i kemi thënë në artikullin e janarit nga këshilltarët Derek Chollet e Gabriel Escobar.”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se besojnë se ky draftstatut që i është dhënë Qeverisë së Kosovës i plotëson gjitha këto kritere.

Sipas tij, vetëm një entitet mund të vendosë nëse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës apo jo dhe ajo është Gjykata Kushtetuese.

Hovenier ka thënë se ashtu si kryeministri Albin Kurti e tha në Kuvend në shtator, një nga provizionet në këtë draftstatut është se do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese.

“Gjithë këto pyetje, komentet e gati histeri për kushtetushmërinë e saj më duken të pavend. Pasi është bërë punë me kujdes për të draftuar statutin dhe janë vendosur nene për t’u përkujdesur që një trup në Kosovë që ka aftësinë e autoritetin për të vendosur kushtetutshmëri, Gjykata Kushtetuese do të bëjë këtë para se të hyjë në fuqi”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk ka ndonjë sekret për draftin e Asociacionit, por sipas tij, nganjëherë negociatat diplomatike kërkojnë sekrete kur bëhet fjalë për diçka të ndjeshme, pasi sipas tij, është më e përshtatshme të arrihet mirëkuptimi mes palëve.

“Pavarësisht nëse bëhet fjalë për marrëveshjet në dialog, nëse bëhej fjalë për Rambujen, për negociatat për Ahtisaarin, apo gjëra tjera. Ekziston koha kur i bëhen gjërat publike e kur duhet konfidencialitet. Në një kohë të përshtatshme publiku do ta ketë mundësinë ta vlerësojë drafstatutin. Ajo kohë do të përcaktohet nga një kombinim i përshtatshëm i qeverive dhe Miroslav Lajçakut.”, ka thënë ai.

Derisa ka folur për afatin e implementimit të tij, ai ka thënë se vendet e BE-së e kanë me urgjencë.

Sipas tij, nuk ka arsye pse Qeveria të mos ecë përpara me këtë draftstatut.

Hovenier ka thënë se nuk është vetëm Asociacioni i cili duhet të implementohet, por duhet të zbatohen të gjitha obligimet e marra nga marrëveshja bazë dhe aneksi i zbatimit në Ohër.

“Nëse lexohen deklaratat e kancelarit gjerman, presidentit francez, kryeministres së Italisë, e më duhet të them është e jashtëzakonshme që këta liderë të lartë evropianë po përfshihen direkt në këtë proces për ta ndihmuar Kosovën të ecë përpara në rrugën evropiane, euroatlantike e të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që është në përfitim të dy vendeve. Ata përdorin fjalët si urgjent, sa më shpejtë të jetë e mundur e gjëra të tilla. Ka urgjencë, ka dëshirë të shihet të ecë para. Është pjesë e bisedave tona me Qeverinë tash. Nuk ka arsye pse Qeveria e Kosovës të mos ecë para me këtë drafstatut. Kryeministri shprehu gatishmërinë e tij për ta pranuar në tërësi vetëm disa javë më parë. Ne jemi duke punuar për të parë të bëhet si element i strategjisë sonë më të gjerë. Nuk është vetëm Asociacioni, e as nuk mund të jetë. Duhet të zbatohen të gjitha obligimet e marra nga Kosova dhe Serbia me Marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit në Ohër. Duam të shohim këtë”, ka deklaruar ai.

Hovenier ka thënë se SHBA-ja e beson fuqishëm se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, të formohet bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk duhet të jetë një shtresë e re e pushtetit, e nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv.