MENU
klinika

Akuzohet për vrasjen e Shkëlzen Kastratit më 2021

Me kapuç në kokë, Elmir Tufa paraqitet në gjykata

05.11.2023 - 11:44

Elmir Tufa, një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së Shkëlzen Kastratit ka dalë sot para Gjykatës së Fierit, ku do të njihet me masën e rivlerësimit.

Siç shihet nga pamjet, i riu ka vendosur kapuç në kokë, për t’iu shmangur fokusit të medias.

Tufa u arrestua tre dite me pare, pas gati tri vjetësh që nga momenti kur u shpall në kërkim për vrasjen e Kastratit.

Ai ka qenë në kërkim për atentatin e bujshëm të datës 1 shkurt të vitit 2021, ku në një pritë të mirorganizuar iu mor jeta biznesmenit Shkëlzen Kastrati.

Në fakt, fati i policisë për atë ngjarje, ishte një dëshmitar okular, i cili pa autorët të largoheshin me një mjet momentin kur dogjën makinën me të cilën kishin realizuar atentatin. Ai dëshmoi se bëhej fjalë për një “Audi” me të cilin ishin larguar personat. Policia, aso kohe hapi kamerat e rrugëve, identifikoi mjetin dhe më pas edhe të zotin, i cili u shoqërua në polici dhe tregoi mbi shitjen e makinës tek një person në zonën e Fushë-Krujës.

NJOFTIMI I POLICISE PER ARRESTIMIN
Falë inteligjencës policore, Komisariati i Policisë Krujë në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, lokalizojnë, kapin dhe vënë në pranga një shtetas të shumëkërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

I shpallur në kërkim për vrasje, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me ato të Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shumëkërkuar nga Policia, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Lokalizimi”.

Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë, ditën e sotme, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi E. T., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje me paramendim”, pasi ka vrarë me armë zjarri shtetasin Sh. K.