MENU
klinika

“Blerja e Mbappe nuk do ishte ëndërr”

Miliardezi finlandez trazon tifozët zikaltër: Nëse do të blija Interin…

07.11.2023 - 16:17

Pak ditë më parë, miliarderi finlandez Thomas Zilliacus i bënte thirrje sheikut të Katarit të bëheshin bashkë për të blerë Interin. Në intervistën e gjatë të dhënë për “Tuttosport”, biznesmeni finlandez foli së mundmi edhe për strategjitë e mundshme të transferimit, nëse do të merrte komandën e Interit.

“Sot për sot, Inter ka menaxhim të nivelit të lartë falë Marotta dhe Antonello, unë gjithashtu vlerësoj Inzaghin. Ata po bëjnë një punë të shkëlqyer, ekipi është i fortë. Tani nuk do të ndryshoja asnjë lojtar të vetëm. Zikaltrit mund të fitojnë titullin dhe Champions League. Megjithatë, ne gjithmonë mund të përmirësohemi”.

Cilin yll do të dëshironte manjati finlandez për Interin e tij? “Për të blerë lojtarët e mi të preferuar, si Haaland, Mbappé dhe Pedri, duhet të paguash shumë para. Kjo është arsyeja pse unë ju pyes, a është më mirë të shpenzoni 150 milionë euro për një futbollist apo 80 dhe 70 për dy? Besoj se duhet të investojmë edhe në talentin e të rinjve. Kështu e rritni yllin tuaj në shtëpi”, – përgjigjet kandidati për të blerë klubin e njohur milanez.

Thomas Zilliacus do të thotë biznes, të paktën me fjalë. Këto janë fjalët e tij për “TvPlay”, ku sqaron se ka plane të rëndësishme për Interin, nëse Zhang pranon ofertën e tij për klubin: “Tanët janë investitorë financiarë, jo pjesë e botës së futbollit. Jemi të bindur se ne mund ta bëjmë Interin një klub edhe më të madh se tani.

Kjo nuk është kritikë për klubin aktual, i cili ka ekip të shkëlqyer, drejtues dhe një trajner të shkëlqyer. Qëllimi ynë do të ishte rritja më tej, specializimi në krijimin e shërbimeve për fansat në të gjithë botën. Kjo do të rriste të ardhurat dhe më pas fuqi më të madhe në treg.

Pasoja e gjithë kësaj do të ishte mundësia e blerjes së lojtarëve më të mirë dhe, në përgjithësi, përmirësimi i një ekipi tashmë të fortë. Mbappé, për shembull, nuk do të përfaqësonte një ëndërr. Ideja do të ishte që gradualisht të forcohej një ekip tashmë me cilësi të lartë për të konkurruar çdo vit si për titullin në Itali, ashtu edhe për Champions League”.

Zilliacus garanton gjithashtu se do të ishte i gatshëm të bashkëpunonte me pronësinë aktuale zikaltër: “Mendoj se e di sa shumë dëshiron familja ‘Zhang’ dhe nuk jemi aq larg propozimit të saj. Duam ta transformojmë Interin në ekipin më të madh në botë.

Nuk është e saktë të thuhet se sa vlen klubi tani, ne kemi këshilltarët tanë nga grupi financiar që do të punojnë për të dhe do të bëjnë një vlerësim më të saktë në këtë kuptim.

Ne do të ishim të hapur ndaj mundësisë për të punuar së bashku me Zhang, duke e lënë atë si president, por duke marrë përsipër klubin. Nuk është një operacion imazhi, por unë do të doja një model të qëndrueshëm për ta bërë këtë ekip më të rëndësishmin në botë”.