MENU
klinika

“Rasti i Rafael Dwamena duhet trajtuar si vrasje”

Mjeku Sinamati: Kush është ai katran mjek që ka formosur për…

12.11.2023 - 19:17

Mjeku Admir Sinamati, thotë se rasti i vdekjes së kapitenit të Egnatias, Rafael Dwamena, duhet trajtuar si vrasjes dhe jo si vdekje e papritur.

Ndërsa tregon problemet kardiake të tij dhe anulimin e kontratave nga skuadrat evropiane, Sinamati ngre pyetjen nëse ekipi i Egnatias kishte një raport mjekësor në kartelën e lojtarit.

Reagimi:

Vdekja në fushën e blertë e kapitenit të “Egnatia” futbollistit ganez Rafael Dwamena nuk duhet të trajtohet si aksident apo vdekje e papritur por si një vrasje. Ai u diagnostikua me një sëmundje të zemrës në vitin 2017, ndaj në Janar të vitit 2020, ndërsa ishte i federuar në Levante UD, atij iu implantua një kardioverter-defibrilator i implantueshëm (ICD) përmes operacionit, i cili i mundëson të sëmurëve të tillë vazhdimin e jetës normale por duke shmangur mbingarkesën fizike dhe kontrollin e vazhdueshëm të funksionit të kësaj paisje mjekësore të implantuar. Në tetor 2020, pas konsultës së mjekëve, ICD tregoi parametra kardiakë të cilat u konsideruan shumë të paqëndrueshme dhe si rezultat klubi i tij në atë kohë(Vejle Boldklub), e tërhoqi atë nga aktivitetet e ekipit.

Në tetor 2021, në ndeshjen e Kupës së Austrisë gjatë pjesës së parë të lojës së Blau-Weiss Linz kundër Hartberg, Dwamena u rrëzua në fushë dhe vetëm pas ndihmës së shpejtë dhe stabilizimit të aparatit ICD, ai vazhdoi jetën por jo lojën, pasi ekipi i tij nuk e aktivizoi kurrë më.
Lind pyetja: A ka klubi i “Egnatia” një raport mjekësor në dosjen e Dwamena-s, dhe nëse po, kush është ekipi i mjekëve që i ka dhënë “OK” skllavërisë së këtij fatkeqi?

Kush është ai katran mjek i mbuluar me bluzë të bardhë që ka firmosur për së gjalli skedën e vdekjes së kapitenit rrogozhinas nga Gana duke e bërë atë fizikisht të aftë për futboll?! Përtej ngushëllimeve, keqardhjes, dhe solidaritetit me familjen e të ndjerit, kolegët apo tifozët e Rrogozhinës; Federata Shqiptare e Futbollit nëse nuk e ndjen veten fajtore duhet të gjejë përgjegjësit e kësaj vdekjeje të paralajmëruar në mes të fushës dhe përpara mijëra syve të sportdashësve. Futbolli është dhe duhet të jetë sport e jo skllavëri!