MENU
klinika

Juve i bën presion Interit

Vlahovic nderon “Zonjën e Vjetër”

23.12.2023 - 17:22

Juventus thyen 2-1 Frosinone në transfertë duke marrë një trepikësh të artë, thellon diferencën me Milan në plus 7, ndërsa i ushtron presion nga pranë Interit kryesues. Trajneri Allegri befasoi jo pak duke hedhur në fushë nga minuta e parë Yildiz në vend në Vlahovic, me talentin turk që ia shpërbleu duke kaluar “Zonjën e Vjetër” në avantazh në minutën e 12-të.

18-vjeçari depërtoi bukur në zonë dhe me një goditje të fortë në shtyllën e parë dërgoi topin në rrjetë. Juve hasi vështirësi të mbyllte ndeshjen, jo vetëm që nuk e bëri këtë, por me fillimin e pjesës së dytë, Frosinone i befasoi duke barazuar shifrat në 1-1.

Allegri ndërhyri në formacion duke hedhur Vlahovic në vend të Yildiz, ishte pikërisht sulmuesi serb që me një goditje të bukur me kokë realizoi golin e dytë për bardhezinjtë në minutën e 81-të. Vlahovic realizoi edhe në shtesë, por VAR anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje.