MENU
klinika

Shpërthimi në magazinën e deputetit të PS

Gjykata e Fierit shpall moskompetencë dhe çështjen ia kalon SPAK!

07.03.2024 - 18:17

Gjykata e Fierit ka shpallur moskompetencën për dosjen hetimore mbi shpërthimin e ndodhur disa ditë më parë në magazinën e deputetit të PS, Bujar Çela në Lushnjë, ku humbën jetën dy persona.

Për këtë ngjarje sot u la në burg biznesmeni Leonard Gjini i cili kishte firmosur kontratë me ligjvënësin për ndërtimin e kapanonit.

Për pasojë, dosja hetimore i kalon SPAK si prokuroria kompetente për shkak të subjektit, për të vijuar hetimet ndaj deputetit, Bujar Çela.

Pas administrimit të të dhënave, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar emrat e 7 (shtatë) personave që u atribuohet vepra penale, mes tyre edhe deputeti Çela.

Ndaj deputetit socialist rëndojnë akuzat e vepres penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, dhe “Shkatërimi i pronës nga pakujdesia”.

Njoftimi i plote:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier regjistroi në datën 03.03.2024 çështjen penale nr. 358, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shkatërimi i pronës nga pakujdesia”, parashikuar nga nenet 289 prg. 2, 199/a prg. 4, 248 dhe 161 të Kodit Penal.

Kjo çështje penale u regjistrua lidhur me ngjarjen e ndodhur në datën 01.03.2023, rreth orës 15:30’, në lagjen “Karbunarë e Poshtme”, Njësia Admnistrative Nr.5, Lushnjë, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm gjatë punimeve të ndërtimit në objektin “magazinë”, të shtetasit B.Ç, kanë gjetur vdekjen dy persona dhe plagosur shtatë persona të tjerë.

Nga ana e policisë gjyqësore nën drejtimin e prokurorëve të gatshëm, që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, janë kryer veprime procedurale si, këqyrje e vendit të ngjarjes, kryerje ekspertimit teknik ndërtimi, sekuestrimi dhe këqyrja a dokumenteve, marrja në pyetje e shumë personave dhe veprime të tjera hetimore që lidhen me natyrën e ngjarjes.

Pas administrimit të të dhënave të mësipërme dhe kryqëzimin e tyre, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar emrat e 7 (shtatë) personave që u atribuohet vepra penale, si më poshtë:

– Shtetasit B.Ç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, dhe “Shkatërimi i pronës nga pakujdesia”, parashikuar nga nenet 289 prg. 2, 199/a prg. 4, dhe 161 të Kodit Penal.

– Shtetasit L.Gj, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, parashikuar nga neni 289 prg. 2 i Kodit Penal.

– Shtetasve R.K, K.S, M.P, E.S. dhe I.U, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve të çështjes penale, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka nxjerrë urdhër ndalimi për shtetasit L.Gj, i cili është ekzekutuar nga policia gjyqësore.

Po ashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka kërkuar në gjykatë caktimin e masave të sigurimit me karakter ndalues dhe shtrëngues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 242 e 233 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasve më poshtë:

– Shtetasit R.K, me detyrën e kryeinspektorit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Lushnjë.

– Shtetasve M.P, E.S., K.S, me detyrën e inspektorëve të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Lushnjë.

– Shtetasit I.U, me detyrën e inspektorit të përgjithshëm të Njësisë Bashkiake Nr. 5, Bashkia Lushnjë.

Gjykata e Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka pranuar kërkesat e mësipërme të prokurorisë dhe aktualisht vendimi i gjykatës është ekzekutuar.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, bazuar në nenet 28 pika 1, 75/a, gërma “c” e 84 të Kodit të Procedurës Penale, ka shpallur moskompetencën lëndore dhe i ka dërguar aktet e çështjes penale Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, si prokuroria kompetente për shkak të subjektit, për të vijuar hetimet ndaj shtetasi B.Ç, deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Iu nënshtrua ndërhyrjes kirugjikale

Si paraqitet gjendja e deputetit Bujar Çela?

Shpërthimi me dy viktima në kapanonin e deputetit Bujar Çela

Gjykata lë në burg sipërmarrësin Leonard Gjini

“Një copë hekuri goditi klientin në kokë”

Shpërthimi në magazinën e deputetit të PS, dëshmia e punonjësit