MENU
klinika

“S'kam marrë mbështetje apo pagesë sociale!"

Viktimat e luftës në Kosovë në pritje të kompensimit pas gjyqit

29.03.2024 - 11:59

Një vit më parë, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë urdhëruan Salih Mustafën, një ish-oficer i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i dënuar me 22 vjet burg për krime lufte, t’i paguajë tetë viktimave në rastin e tij gjithsej 207,000 euro kompensim.

Por, deri më tani, asnjëri prej tyre nuk i ka marrë paratë. Mbetet e paqartë se kur ata mund t’i marrin ato apo si.

Presidenti i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka caktuar një gjyqtar, Gilbert Bitti, për të mbikëqyrur zbatimin nga kryesekretari i urdhrit për dëmshpërblim i gjykatës. Më 20 shkurt, avokati i viktimave, përfaqësuesi ligjor i viktimave në këtë rast, i kërkoi gjyqtarit që t’i caktojë një afat Mustafës për të paguar.

Gjykatësi i dha mbrojtjes së Mustafës dhjetë ditë kohë për t’iu përgjigjur propozimit për një afat. Por Dhomat e Specializuara thanë më 15 mars se, deri më tani, nuk ka asnjë vendim për këtë çështje.

Angela Griep, një zëdhënëse për Dhomat e Specializuara, i tha BIRN se për kompensimin është përgjegjës i pandehuri, jo gjykata.

“Askund në Urdhrin për Dëmshpërblim nuk thuhet se viktimat do të kompensohen nga buxheti i Dhomave të Specializuara të Kosovës. Përgjegjësia për të paguar kompensimin është ekskluzivisht e zotit Mustafa”, tha Griep.

Sipas vendimit në rastin Mustafa, tetë viktimat u mbajtën në një objekt paraburgimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, në fshatin Zllash të komunës së Podujevës në prill të vitit 1999 dhe u torturuan arbitrarisht.

Shtatë të ndaluar u liruan, por Mustafa nuk e liroi njërin prej tyre, i cili u vra mes ose rreth datës 19 prill 1999.

Gjykatësit konstatuan se Mustafa ka marrë pjesë personalisht në torturimin e dy të burgosurve dhe se dështimi i tij për të urdhëruar lirimin e të burgosurit të fundit ka çuar drejtpërdrejt në vdekjen e tyre.

Ministria e Kosovës refuzon të ndërhyjë
Pas vlerësimit të financave të Mustafës, gjyqtarët në gjykim arritën në përfundimin se ai “nuk ka mjete për të zbatuar plotësisht urdhrin” për kompensimin e viktimave, por gjykata ende nuk ka thënë nëse do të urdhërojë sekuestrimin e ndonjë prej pasurive të tij.

Megjithatë, Dhomat e Specializuara i thanë BIRN se do të ketë “monitorim të vazhdueshëm të situatës së tij financiare” për të treguar nëse ai i ka mjetet për të paguar.

Gjyqtarët sugjeruan që Programi i Kompensimit të Viktimave të Krimit në Kosovë mund të jetë një burim alternativ fondesh për viktimat.

Por Ministria e Drejtësisë e Kosovës refuzoi të ndërhyjë dhe të kompensojë viktimat në rastin Mustafa.

Duke iu përgjigjur kërkesës së gjyqtarëve, Ministria e Drejtësisë argumentoi se kryesekretari nuk mund të veprojë si “përfaqësues i autorizuar” i viktimave dhe të paraqesë një kërkesë për kompensim në emër të tyre “për të shmangur çdo konflikt interesi”. E pyetur për kërkesën e BIRN, ministria përsëriti të njëjtën deklaratë.

Gjyqtarët këmbëngulën, megjithatë, se nuk ekziston asnjë konflikt interesi, sepse kryesekretari është një organ neutral i Dhomave të Specializuara, mandati i të cilit është të administrojë dhe t’i shërbejë gjykatës.

Gjykata e Hagës nuk ka fuqi të urdhërojë Kosovën që të paguajë kompensimin e caktuar për viktimat. Por Dhomat e Specializuara thanë se gjyqtarët “i kujtuan Kosovës obligimet e saj në lidhje me të drejtën e viktimave për një mjet efektiv juridik, siç parashihet në kushtetutën e Kosovës”.

Gjyqtarët cituan gjithashtu obligimet e Kosovës sipas Ligjit të vendit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile të Luftës dhe Familjeve të tyre.

Kjo pjesë legjislacioni ofron një tregues të asaj që autoritetet e Kosovës e konsiderojnë një nivel proporcional të kompensimit për dëmin e shkaktuar nga lufta e viteve 1998-1999 – pagesa ndihme sociale deri në rreth 400 euro në muaj.

Megjithatë, legjislacioni i Kosovës nuk trajton vuajtjet e viktimave në rastin Mustafa, pasi fokusi i ligjit është dëmi i shkaktuar nga veprimet e armikut – Ushtria Jugosllave dhe forcat policore serbe. Viktimat e dëmtuara nga UÇK-ja nuk kanë të drejtë për pagesa kompensuese.

Gjyqtarët në Dhomat e Specializuara rekomanduan krijimin e një fondi besimi në dobi të viktimave të krimeve që janë nën juridiksionin e gjykatës me bazë në Hagë. Ata sugjeruan që ky fond të financohet nga buxheti i Kosovës, sepse të pandehurit në Gjykatën e Hagës po mbështeten financiarisht për t’u mbrojtur, “ndërsa për viktimat e krimeve nuk parashihet asgjë”.

Por Ministria e Drejtësisë e Kosovës tha se krijimi i një fondi të ri për kompensimin e viktimave do të kërkonte që parlamenti i Kosovës të miratonte një “ligj të veçantë”, siç bëri për financimin e mbrojtjes dhe shpenzimet e të pandehurve në Dhomat e Specializuara.

Viktimat në gjykatat e Kosovës të pakënaqur
Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015. Ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por ndodhen në Holandë dhe përbëhen nga personel ndërkombëtar.

Në vetë Kosovë, ndryshe nga Dhomat e Specializuara, asnjë gjykatës në ndonjë rast krimi lufte nuk ka dhënë ndonjë urdhër për kompensim të viktimave.

Bajram Zylfiu, i cili është ndër dy të mbijetuar të masakrës së fshatit Krushë e Vogël më 26 mars 1999, ishte ndër viktimat që u paraqitën si dëshmitarë në gjyqin për krime lufte të Darko Tasiq, një rezervist i policisë serbe, i cili u dënua me 11 vite burg për vrasjet.

“Nuk kam qenë kurrë i shëndetshëm fizikisht dhe mendërisht që nga ajo ditë kur më nxorën zvarrë nga një grumbull trupash të pajetë. Por kurrë nuk kam marrë asnjë mbështetje apo pagesë sociale, e lëre më kompensim”, tha Zylfiu për BIRN. “Kam qenë gjithmonë një barrë për familjen time”, shtoi ai.

“Më thirrën disa herë për të dëshmuar në gjyqin e Tasiqit, por askush nuk përmendi kompensim. Ne viktimat nuk kishim asnjë avokat”, vazhdoi ai. “Unë s’kam dëgjuar kurrë për kompensim apo për ndonjë Komision për Kompensimin e Viktimave të Krimit.”

Komisioni i Kosovës për Kompensimin e Viktimave të Krimeve, organ i Ministrisë së Drejtësisë, ka garantuar se mijëra viktima të krimeve të ndryshme kanë marrë ndihmë financiare, por asnjë prej tyre nuk ka qenë viktimë e krimeve të luftës.

Zylfiu tha se vuan nga PTSD, depresioni, migrena dhe probleme të tjera shëndetësore, por nuk merr asgjë për statusin e tij si invalid i mbijetuar i një masakre lufte. Kjo pasi në bazë të një rregulloreje të vitit 2016 të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ai nuk mund të përfitojë dy herë nga skema e pensioneve shtetërore.

Njerëz si Zylfiu që kanë punuar dhe kanë paguar kontribute shoqërore nuk mund të marrin ligjërisht pensionin e luftës si dhe pensionin shtetëror.

Agron Limani humbi babanë, vëllanë dhe tre të afërm të tjerë në masakrën e vitit 1999 në Krushë të Vogël. Ashtu si Zylfiu, edhe ai dëshmoi në gjyqin e Darko Tasiqit.

“Ishin dhjetë viktima në këtë gjyq për krime lufte dhe askush nuk i pyeti për dëmshpërblim”, tha Limani për BIRN.

“Nuk e di nëse dikush në Kosovë është kompensuar në rastet e krimeve të luftës. Paradoksalisht, legjislacioni i Kosovës nuk ofron trajtim të barabartë për viktimat e krimit”, tha ai.

Drita Hajdari, ish-shefe e Departamentit të Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës, tha se ka parë, nga përvoja e saj, se si viktimat janë të nënpërfaqësuar para gjykatave të Kosovës.

“Ka pasur raste kur të akuzuarit kishin një ekip avokatësh ndërsa viktimat vinin vetëm pa askënd për t’i këshilluar për të drejtat e tyre”, tha Hajdari për BIRN.

Ajo tha se viktima në gjyqin e parë për përdhunim të kohës së luftës në Kosovë që përfundoi me një dënim qe në gjendje të siguronte kompensim prej 2,000 eurosh përmes Komitetit për Kompensimin e Viktimave të Krimeve.

Kosova e ka ndryshuar legjislacionin e saj, kështu që tani ajo mund t’i gjykojë të pandehurit në mungesë të tyre – përgjithësisht anëtarë të forcave serbe që jetojnë në Serbi, e cila nuk e njeh Kosovën dhe nuk do t’i ekstradojë ata për gjykim.

Por Hajdari paralajmëroi se kjo do të sjellë akoma më shumë probleme për viktimat që kërkojnë dëmshpërblim. “Kompensimi, në fakt, do të jetë i pamundur në gjykimet në mungesë”, tha ajo.

Për viktimat në gjyqin e Salih Mustafës, ndërkohë, pritja për dëmshpërblimin e premtuar vazhdon. Mbetet për t’u parë nëse Mustafa do të mund të paguajë apo do t’i konfiskohet pasuria./BIRN

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Thaçi reagon për publikimin e dosjeve të rrjedhura në Hagë

“Mund t’i përdorin si pretekst. Do na dëmtojnë mundësinë…”

Për çfarë akuzohen Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi?

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të fillojë në mars