MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Cilat janë problemet shëndetësore që çojnë në heqjen e mitrës?

10.05.2024 - 11:06

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Cilat janë problemet shëndetësore që çojnë në heqjen e mitrës?

Mjeku: Arsyet janë të shumta, probabiliteti më i madh është që pacienti është diagnostikuar me fibromioma uterine. Në këtë rast, pacientët kanë hemorragji gjatë ciklit menstrual (sasi të shtuar dhe të zgjatur në kohë) që çon deri në anemi, ndaj edhe rekomandohet bërja e histerektomisë. Pra, kemi të bëjmë me histerektomi të kryer në kushtet e miomave dhe në këtë rast bëhet fjalë për patologji beninje, por bëhet edhe në rastet e patologjive malinje siç është kanceri i qafës së mitrës.

Kur fibromiomat janë në numër të konsiderueshëm dhe zënë gjithë hapësirën e uterusit atëherë normalisht rekomandohet heqja e uterusit për të evituar hemoragji dhe për ta normalizuar situatën e pacientes. Nëse kohëzgjatja e ciklit menstrual dhe sasia është e tillë që i çon pacientët drejt një anemie të caktuar atëherë rekomandohet histerektomia.

Megjithatë, diagnoza duhet të jetë e qartë, pacientja duhet të jetë e konsultuar me mjekun gjinekolog përkatës dhe duhet të vendosin bashkarisht për procedurën. Sigurisht që para çdo interventi, bilanci dhe konkluzioni duhet të jenë të maksimalizuara në të gjitha aspektet, pra të jetë sqaruar pacientja për diagnozën, për situatën në të cilën gjendet, për interventin që do kryhet, për pasojat që ka mbas interventit në të gjitha rrethanat.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.