Të ardhurat nga renta minerare pësuan rënie në 7 muajt e parë të vitit, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave për periudhën janar – korrik të këtij viti u arkëtuan rreth 1.64 mld lekë lekë apo 9.9% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2023, kur u arkëtuan rreth 1.82 mld lekë. Kjo ulje e të ardhurave duket se reflekton uljen e çmimit të naftës, në tregjet ndërkombëtare. Kjo pasi, kompanitë paguajnë në shtet rentën minerare, që përllogaritet mbi vlerën e tatueshme të të ardhurave nga aktiviteti i nxjerrjes së naftës dhe mineraleve. Ulja mund të shkaktohet edhe nga rënia e prodhimit, por të paktën kompania shtetërore e naftës Albpetrol raporton sasi thuajse të njëjta prodhimi për vitin 2024, në raport me vitin që shkoi. Ndërkohë, të dhënat nga Bankers Petroleum, që ushtron aktivitetin në fushën më të madhe naftëmbajtëse, të Patos Marinzës nuk janë bërë publike.
Edhe sasia e mineraleve të prodhuar gjatë periudhës 7-mujore nuk është publikuar ende. Gjithsesi, në vitin 2021 hynë në fuqi ndryshimet ligjore që përjashtuan nga taksa e rentës minerare për një periudhë 3-vjeçare mineralet metalore që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve minerare, çka ndikon në uljen e të ardhurave. Për hidrokarburet, renta minerare llogaritet duke aplikuar një normë prej 10 për qind të vlerës së tregut të naftës dhe gazit, të nxjerra në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për kromin, bakrin dhe hekur-nikelin, ajo është në masën 6%, ndërsa për mineralet e tjerë varion nga 4%-10%.