MENU
klinika

“Adoleshentët janë të trishtuar”

UNICEF: Një në shtatë të rinj vuan nga çrregullime mendore

15.10.2024 - 17:20

“Një në shtatë adoleshentë evropianë vuan nga çrregullime mendore”, sipas UNICEF-it, degë e Kombeve të Bashkuara për fëmijët,

UNICEF thekson se si afërsisht gjysma e të gjitha problemeve të shëndetit mendor globalisht shfaqen pak a shumë para moshës 18-vjeçare.

”Shumë fëmijë janë të mbushur me trishtim, dhimbje ose ankth. Disa pyesin se ku po shkon kjo botë dhe cili është vendi i tyre në të. Është një ajsberg që ne e kemi injoruar për një kohë të gjatë dhe, nëse nuk veprojmë, do të vazhdojmë të kemi rezultate katastrofike për fëmijët dhe shoqëritë, shumë kohë pas përfundimit të pandemisë”, – theksoi Henrietta H. Fore, drejtore ekzekutive e UNICEF-it.

Sipas raportit të UNICEF-it rreth 11,2 milionë fëmijë dhe të rinj të moshës 19 vjeç (5,9 milionë meshkuj dhe 5,3 milionë femra) në Bashkimin Evropian vuajnë nga një problem i shëndetit mendor.

Në mesin e njerëzve të moshës 15-19 vjeç, rreth 8% vuajnë nga ankthi dhe 4% nga depresioni.

Vetëvrasja është shkaku i dytë i vdekjes (pas aksidenteve rrugore) tek të rinjtë e moshës 15 deri në 19 vjeç në Bashkimin Evropian. Në vitin 2020, rreth 931 të rinj vdiqën nga vetëvrasja në BE, ekuivalente me humbjen e rreth 18 jetëve në javë.

Rreth 70% e të rinjve të moshës 15-19 vjeç në BE që vdesin nga vetëvrasja janë meshkuj.

“Ne nuk mund të presim më gjatë, nuk mund të zhgënjejmë një brez tjetër”, – përfundoi Henrietta H. Fore. Apeli është që të kujdesemi që këto çrregullime të identifikohen dhe trajtohen në kohë dhe që komunitetet dhe institucionet të kujdesen për krijimin e një rrjeti për të mbështetur më të cenuarit.