Grekët duken të sigurtë për sulmuesin shqiptar Fiorin Durmishaj, që duket se e ka marrë vendimin e tij për të përfaqësuar kombëtaren greke dhe jo atë shqiptare, edhe pse ka luajtur me Shpresën tonë.
Shtatlarti shqiptar pritet të jetë gati për trajnerin e Greqisë për takimet e muajit qershor që do të luajë ndaj Italisë dhe Armenisë. Mediat greke raportojnë se paraqitja e parë e sulmuesit me kombëtaren greke është vetëm çështje kohe.
“Përshtypja e parë nga Federata Greke dhe nga përfaqësuesit e Durmishajt është se do të bëhen të gjitha procedurat, por në limite.
Ndërkaq, e sigurtë është që lojtari i lindur në Athinë nga prindër shqiptarë duhet të quhet forcë e kombëtares greke, nëse kjo nuk ndodh tani, do të ndodhë për ndeshjet e qershorit me Italinë dhe Armeninë” – shkruante një prej mediave greke.
Ndërkohë, do të jetë FIFA ajo që do të thotë fjalën e fundit, pasi më parë sulmuesi ka luajtur për kombëtaret e moshave të Shqipërisë. Ndërsa Panucci pohoi se me këtë punë po merret FSHF.