MENU
klinika

Surealizmi çliron

Miro: Më bezdis çdo etiketë

11.03.2019 - 12:18

“Surealizmi, ishte një çlirim për mua”, – shprehet Miro.

Nganjëherë vlerësimi i kritikës së artit botëror për “katalanasin ndërkombëtar” lëkundet, gjithsesi krijimtaria e tij mbetet një burim kënaqësie. Vepra shumëngjyrëshe e Joan Miros shpeshherë ngjan enigmatike. Piktori katalanas, me thjeshtësinë e tij karakteristike ka arritur të kombinojë në perfeksion abstraksionizmin me fantazinë surrealiste. Stili i tij i arrirë përpunohet nga tensioni midis impulsit sa të çuditshëm dhe poetik, me vizionin që ai ka për ashpërsinë e jetës moderne. Joan Miro, pionieri surealist punoi gjerësisht në litografi, prodhoi murale të shumta, tapiceri dhe skulptura për hapësira publike.

Nëse e krahasimojmë me grupin e surrealistëve, Joan Miro gjithmonë është parë si dikush “shumë i lirë”, i cili ka ditur ta ruaj “pavarësinë” e tij: “Më bezdiste fakti i ngjitjes së ndonjë etikete”, – shprehej Miro. Megjithatë, ai pranon “magjinë” e pikturës surrealiste, e cila arrin madje deri “magjepsje”.

I lindur në Barcelonë në vitin 1893, Miro ishte djali i një argjendari dhe orëndreqësi, i cili refuzoi ta linte të birin të ndiqte karrierën në art, derisa Miro u përfshi në një fazë trazimi shëndetësor. Krijimtaria e Miros mbetet e jashtëzakonshme, gjithnjë e pëlqyer dhe pikë referimi për artistët e rinj. Në fillim të viteve 1920, Miro arriti të kombinonte kryeveprën “The Farm” (“Ferma”) realizëm i magjishëm i detajuar në abstraksionizmin e peisazheve. Miro fokusohet tek çdo element dhe i sistemon ata në një formë shumë precise dhe të vetëdijshme. “Ferma” përfaqëson një bashkim të shkëlqyer të realizmit intensiv, madje primitiv me fjalorin formal të kubizmit. Ky realizëm i detajuar, megjithatë, përputhet me një tendencë për të thjeshtësuar format në forma abstrakte, gjeometrike. Krijimet e tij si: “Portreti i një vajze të re”, “Blu I”, “Blu II”, “Ferma”, “Peizazh”, “Pikturë”, “Kopshti”, “Këngëtari melankolik” etj. janë ekspozuar në galeritë botërore. Fillimet e tij artistike i pati në një shkollë arti lokal, ku imitoi Fovizmin dhe Kubizmin, ndërsa gjithnjë përkrahu tema dhe motive katalanase të frymëzuara nga trashëgimia romake dhe gotike, nga rajoni apo folklori popullor. Më pas, gradualisht e hoqi portretizimin e objekteve nga konteksti i tyre natyror, duke e përmbledhur në përputhje me një imazh të ri, misterioz, duke krijuar një përshtypje shpirtërore, mbinatyrore dhe të frikshme. Në vitin 1921 u zhvendos në Paris, ku shumë shpejt pushtoi skenën e artit me vepra si “The Farm” (1921-22), e cili u ble nga Ernest Heminguej. Miro ishte njeri modest, që preferoi të jetonte me bashkëshorten dhe vajzën e tyre në qytetin katalanas të Montroigit.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore Miro u kthye në Spanjë, ku pikturoi “Konstelacionet” (1941), një seri veprash të vogla të shpërndara me simbole të elementeve dhe kozmosit, ku shprehej harmonia e bashkëpunimit të gjithçkaje krijuese. Vitin e fundit të luftës, Miro, së bashku me mikun e tij, Jose Llorens Artigas, një përpunues qeramike prodhuan qeramika me një stil shprehës ndryshe: anijet e tyre shpesh ishin qëllimisht të deformuara dhe të fragmentuara.  Miro u bë i njohur ndërkombëtarisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Skulpturat, vizatimet dhe pikturat e tij u shfaqën në shumë vende. Iu kërkua të pikturonte një numër muralesh, sidomos për “Terrace Hilton Hotel” në Cincinati, Ohajo (1947), si dhe për Universitetin e Harvardit në Kembirxh (1950). Eksperimentimet e tij të qeramikës kulmuan në muret e ndërtesës së UNESKO-s në Paris (1958), për të cilën ai mori Çmimin e Madh Ndërkombëtar të Fondacionit Solomon R. Guggenheim.

Megjithatë, pavarësisht famës, Miro, një njeri i heshtur dhe i rezervuar, vijoi t’i përkushtohej ekskluzivisht kërkimit dhe krijimit. Në veprat e fundme, Miro punoi me thjeshtimin e figurës dhe sfondit; nganjëherë krijonte kompozime thjesht duke vendosur një pikë dhe një linjë të ndjeshme mbi sipërfaqen e detit blu, si në “Blue II” (1961). Ironia dhe agresiviteti i krijimeve të para, u zëvendësua me një lloj meditimi gati fetar. Në vitin 1980, pasi u nderua me Medaljen e Arit të Arteve të Bukura të Spanjës, një shesh në Madrid mori emrin e tij.