Tirana është skuadra e parë që thuajse ka siguruar kalimin në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, teksa ka fituar takimin e parë 3-0 ndaj Laçit, që u luajt në “Selman Stërmasi”.
Bardheblutë e drejtuar nga Ardian Mema patën një fillim të ngadaltë, por në pjesën e dytë bënë gjithçka mirë dhe shënuan tri herë. Fillimisht, ishte sulmuesi britanik, Majkëll Ngo ai që gjeti rrjetën.
Pas një krosimi të shkëlqyer nga Eni Imami, shtatlarti i sulmit i vodhi kohën mbrojtjes kurbinase dhe shënoi me kokë, duke shtangur portierin Selmani. Pas 53 minutash lojë, Tirana në avantazh.
12 minuta më vonë, do të ishte sërish Ngo ai që do të shënonte. Një pasim nga Hoxhallari kontrollohet mirë nga sulmuesi britanik, i cili shmang dy mbrojtës kundërshtar brenda zonës dhe shënon me të djathtën.
Goli i tretë mbajti firmën e Hasanit në minutën e 73’, gol që vendosi dhe rezultatin final të sfidës, duke e bërë shumë më të thjeshtë kthimin për Tiranën.
TIRANA – LAÇI 3-0
Ngo 53′ 65′, Hasani 73′
Tirana: Abibi, Kërçiku, Turtulli, Imami, Hoxhallari, Mauexhe, Karabeci, Hasani, Kobina (Doka 84′), Greca, Ngo. Trajner: Ardian Mema
Laçi: Selmani, Fangaj, Toro, Gjoni, Sefgjini, Eller, Lushkja, Jonuzi (Qokaj 64′), Najdenov, Xhixha (Prengaj 82′) , Mane (Shtubina 61′). Trajner: Besnik Prenga
Gjyqtarë: Laver Alla, Edlir Malo, Marjus Qose, Ardian Beqiri
Kartonë të verdhë: Ngo 60’, Hoxhallari 76′, Turtulli 82′ / Sefgjini 74′