Ende pa drejtuar ndeshjen e parë pas rikthimit të tij, Zinedine Zidane ka nisur epokën e re me blerje te Real Madrid. Trajneri e ka filluar nga mbrojtja.
Skuadra madrilene ka zyrtarizuar sot firmën me mbrojtësin brazilian Militao, i cili spikati në këtë sezon me Porton dhe ndiqej me interes nga klube të ndryshme në Europë.
Reali ka nxituar që të paguajë klauzolën e largimit të futbollistit, 50 milionë euro, që të siguronte firmën e tij, për të mposhtur konkurrencën.
Klubi zyrtarizoi gjithçka, duke bërë të ditur se Militao do t’i bashkohet ekipit në korrik, për të vazhduar pjesë e tij deri në vitin 2025.
“Real Madrid dhe FC Porto kanë akorduar për transferimin e lojtarit Eder Militao i cili do të jetë i lidhur me klubin për 6 sezonet e ardhshme, deri në vitin 2025”, – shkruhej në komunikatën e Realit.
Porto ka përfituar ndjeshëm nga ky transferim, pasi firmosi me Militao vetëm në verën e kaluar, duke i paguar një shifër të ulët Sao Paolos, vetëm kuotën e FIFA-s për rritjen e lojtarit.
Klauzola e largimit prej 50 milionë eurosh, skadonte më 15 qershor, duke u rritur më pas në 75 milionë euro, ndaj Reali ka vendosur, nën udhëzimin e Zidane, që të firmoste menjëherë me lojtarin.