Humbja me Tiranën në Kupën e Shqipërisë me rezultatin 3-0 i ka kushtuar vendin e punës trajnerit të Laçit, Besnik Prenga.
Trajneri është larguar pas humbjes, ku edhe në deklaratën e tij pas ndeshjes, dallohej qartë zhgënjimi me ekipin. Drejtuesit e Laçit janë venë menjëherë në lëvizje dhe drejtimin e ekipit do ta marrë Sulejman Starova.
Ky i fundit është prej disa kohësh i lirë, që pas largimit nga ekipit nga Kosova, Ferronikeli. Ish-tekniku i Partizanit do të jetë trajneri i pestë në këtë edicion për ekipin kurbinas.
Laçi e nisi me Besnik Prengën e më pas me Artan Mërgjyshin, pas shkarkimit të të cilit u emërua për pak ndeshje Migen Memelli. Prenga u rikthye sërish së fundmi, për t’u larguar prapë dhe për t’ia lënë vendin Sulejman Starovës.