Na ndan edhe pak nga ndeshja mes Shqipërisë dhe Turqisë, që do të luhet në stadiumin ‘Loro Boriçi’ dhe atmosfera në Shkodër ka nisur të bëhet elektrizuese nga tifozët kuqezi, të cilët kanë zgjedhur që të mbështesin nga afër Kombëtaren.
Në rrugët dhe në lokalet e qytetit të Shkodrës, janë me mijëra tifozë, të cilët kryefjalë në këtë ditë kanë ndeshjen Shqipëri-Turqi.
Sakaq, pritet që deri në fillimin e takimit, numri i tifozëve të rritet edhe më shumë duke qenë se interesi është rritur, ku të shumtë janë edhe tifozët të cilët kanë ardhur nga Kosova për këtë ndeshje të rëndësishme.
Natyrisht, ashtu siç ka ndodhur edhe në ndeshje të tjera më parë, këngët patriotike kumbojnë në qytet ndërkohë që tifozët nuk lënë pas as përgatitjet për këndimin e himnit të Shqipërisë.
Pak orë më parë, tifozët ishin mbledhur para hotelit ku qëndron Kombëtarja, por policia i ka larguar, duke lënë në qetësi futbollistët para ndeshjes.