MENU
klinika

"Realiteti është bota e brendshme"

Shagall e Bela në fluturim

28.03.2019 - 11:28

Një dashuri që shumë shpejt shndërrohet në një martesë artistike. Për piktorin, Bela ishte bashkëshorte, muzë dhe mike. Dashuria është një nga subjektet kryesore të veprave të artit të Mark Shagallit. Po ç’rol luajti dashuria në jetën e artistit bjellorus? I vetmi çelës leximi të veprave të piktorit është dashuria e jetës së tij: Bela Rosenfeld. Bashkëshortja dhe partnerja e jetës, njëherazi edhe burim frymëzimi për Markun e saj. Është pikërisht ajo gruaja në fluturim, dashnorja në blu, protagonistja e shumë kryeveprave të pikturuara nga Shagalli.

Dashuri me shikim të parë. Ata të dy u takuan në vitin 1909, ai një piktor i shthurur 23-vjeçar, ajo nuk kishte mbushur madje as të pesëmbëdhjetat, një bursiste e shkëlqyer në Shën Petërburg. Të dy vendosën të ritakoheshin shpesh në qytetin e tyre Vitebsk. Nga familje të pasura çifute, fillojnë një marrëdhënie të lumtur që do t’i printe shumë shpejt drejt martesës. Nga autobiografia e autorit shfaqet përkushtimi absolut i artistit për gruan e re. Ai përshkruan lëkurën e fildishtë dhe sytë e zi të mëdhenj që e magjepsën menjëherë.

Vetë Bela flet për dashurinë me shikim të parë, për atë djalë me bukle të kreshpëruara dhe “me vështrimin e një dhelpre me sy bojë qielli”. Pasi u diplomua për letërsi, Bela u kthye në Vitebsk, për të punuar me sukses në teatër, deri në vitin 1915, kur, pasi u martua me Markun, e shoqëroi atë në Paris. U kthyen më pas në Vitebsk dhe në Moskë, Shagall publikoi kujtimet e veta në gjuhën jidishe dhe i përktheu ato në frëngjisht. Vajza e tyre e vetme, Ida, lindi në vitin 1916.

 

Muza bukuroshe

Një dashuri që shumë shpejt shndërrohet në martesë artistike, Bela qe për Markun një bashkëshorte, një muzë, një frymëzim i vazhdueshëm. “Mos lëviz, qëndro aty ku je. Nuk rri dot pa lëvizur. Hidhesh në kanavacë që vibron nën dorën tënde. Rrëmben penelat. E kuqja, e kaltra, e bardha, e zeza spërkatin. Më tërheq në derdhjet e ngjyrave. Papritmas bie përtokë, ndërsa ti e kap momentin fluturimthi, sikur të mos mbusheshe me frymë në atë dhomë të vogël. Ngrihesh, shtriqesh, fluturon deri në tavan. E kthen kokën pas dhe e imja merr arratinë. Më fshik lehtas veshin dhe murmurinë…”, –  shkruan Bela Rosenfeld, grua, muzë dhe partnerja e jetës së Mark Shagallit.

 

Dashuria dhe arti

“Për vite dashuria e saj ka ndikuar në pikturën time… Bela shkroi si jetoi, si dashuroi, si i mirëpriste miqtë. Fjalët e saj, fjalitë e saj, janë një prarim ngjyrash në kanavacë… Gjërat e zakonshme, njerëzit, peizazhet, festat hebraike, lulet – kjo ishte bota e saj, këto ishin subjektet e saj… Pastaj papritmas, gjëmim bubullime, në orën gjashtë të mbrëmjes së 2 shtatorit 1944 retë u davaritën, në çastin kur Bela u largua nga kjo botë. Gjithçka e ka mbuluar terri”, – kujton Shagalli. Bela, muza e adhurueshe, vdes nga një infeksion fyti, duke e lënë Markun në dëshpërimin më të zymtë.

Bota e ëndrrave të Mark Shagallit ushqehej nga tregimet popullore jezuite dhe ruse, nga Bibla, besëtytnitë popullore, nga çudibërësit dhe zakonet e banorëve të qyteteve ruse. Shpesh shprehej: “Bota jonë e brendshme është një realitet, ajo ndoshta është më reale se bota që ne shohim”.Dashuria, vdekja dhe vuajtja janë temat të cilave u rikthehet herë pas here, por mbi të gjitha temës së dashurisë. Të dashuruarit e tij janë më të dashuruarit në historinë e artit: ata paraqiten si një buqetë me lule, duke fluturuar mbi një kalë përrallor, duke u puthur sikur po fluturojnë mbi Paris, si Venus i qyteteve.

Ëndrra dhe realiteti bëhen një. Repertori i imazheve të Çagallit e ndihmoi të bëhëj një nga novatorët më të njohur të shkollës së Parisit të shekullit të 20-të. Ai paraqiti subjekte të ëndërruara me kolorit ngjyrash dhe stil të rrjedhshëm, që, edhe nëse na nxitin të reflektojmë mbi lëvizjet artistike si ekspresionizmi, kubizmi madje edhe abstraksionet, ai mbetet padyshim unik në stilin e vet. Shagall i transformoi këto cilësi në një gjuhë me të cilën i drejtohet gjithë botës, me pastërtinë dhe pafajësinë e një fëmije dhe mençurinë e një mjeshtri. Vdiq më 28 mars 1985.