Dy humbje dhe një barazim radhazi, Milan futet në krizë. Pas humbjes në derbi dhe në Genoa, kuqezinjtë nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 1-1 në “San Siro” ndaj Udineses.
Lajmet e këqija nuk mbarojnë këtu për skuadrën e Gattuso-s, që rrezikon të mos ketë në dispozicion Gianluigi Donnarumma-n dhe Lucas Paqueta-n për ndeshjen e së shtunës kundër Juventus-it.
Portieri ka qenë i detyruar të lërë fushën për shkak dëmtimi në minutën e 12-të, ndërsa fantazisti është larguar në minutën e 41-të për shkak se ka ndrydhur kaviljen.
Situata është përmirësuar për kuqezinjtë në minutën e 44-t, me Piatek që ka shënuar golin e avantazhit dhe të 20-in në këtë sezon të Serisë A.
Gjithsesi, vendasit nuk kanë arritur ta mbrojnë këtë avantazh dhë në minutën e 65-të kanë pësuar golin e barazimit nga Lasagna.
Pas dy humbjeve dhe një barazimi të marrë në tri ndeshjet e fundit të kampionatit, Milan-i mbetet në vendin e katërt me 52 pikë dhe tani rrezikon të humbasë vendin në Champions League, duke parë se Lazio ndodhet katër pikë larg me dy ndeshje më pak.