MENU
klinika

Kërkesa e Theresa May

“Të shtyhet Brexit deri në 12 qershor”

05.04.2019 - 15:13

Theresa May i ka kërkuar Bashkimit Evropian një vonesë të mëtejshme të Brexit deri më 30 qershor.

“Në rast se palët janë në gjendje ta ratifikojnë më shpejt, procesi do të përfundojë më herët”, shkruan May në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, përpara samitit të jashtëzakonshëm të udhëheqësve të BE më 10 prill.

“Qeveria britanike dëshiron të pajtohet me një plan udhëzues për ratifikimin, që lejon Britaninë e Madhe për t’u tërhequr nga BE përpara 23 majit dhe kështu do të anulojë zgjedhjet parlamentare europiane, por do të vazhdojë të bëjë përgatitjet për t’i organizuar ato, nëse ky plan nuk do të jetë i mundur”, shkruan ajo në letrën dërguar Tusk.

Mbretëria e Bashkuar aktualisht është caktuar që të largohet nga BE më 12 prill dhe, ende, asnjë marrëveshje nuk është miratuar nga deputetët.

Kryeministrja ka propozuar që nëse deputetët e Mbretërisë së Bashkuar miratojnë një marrëveshje në kohë, Britania e Madhe të largohet para zgjedhjeve parlamentare evropiane më 23 maj.

Por ajo tha se Britania e Madhe do të përgatitet për të kandiduar në këto zgjedhje në rast se nuk arrihet marrëveshje.

Është në dorën e BE-së nëse do ta pranojë kërkesën, pasi deputetët në mënyrë të përsëritur kanë hedhur poshtë marrëveshjen e tërheqjes të arritur mes Britanisë së Madhe dhe bllokut.

Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk mund të propozojë një zgjatje “fleksibile” 12-mujore për Brexit, nëse Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar ratifikon një marrëveshje.

Por zyra e presidentit francez Emmanuel Macron tha të premten se ishte “e parakohshme” të merrte në konsideratë një vonesë tjetër.

Një zëdhënës i Downing Street tha se tani kryeministrja qartësisht po kërkon një zgjatje të shkurtër.

Ka mundësi që BE-ja do ta refuzojë atë përsëri dhe të ofrojë një vonesë më të gjatë, për të parë nëse Parlamenti pajtohet me një marrëveshje.

Kryeministrja tha se nëse bisedimet ndërpartiake me Partinë Laburiste nuk mund të krijojnë “një qasje të unifikuar ” në Parlamentin e Britanisë së Madhe, deputetët do t’u kërkohej të votonin për një sërë opsionesh të Brexit.

Sekretari Jeremy Hunt u tha gazetarëve: “Ne ende shpresojmë të largohemi nga BE dy muajt e ardhshëm. Kjo është ambicia jonë”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Marrëveshja do të prezantohet nesër"

Brexit/ Samiti i nëntorit do të shtyhet?

Ministrat britanikë paralajmërojnë

“Brexit mund të shtyhet”