Flitet se trajneri Italian Edy Reja do të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare, madje janë zbuluar detajet financiare të kontratës.
Trajneri italian pritet ta nënshkruajë një kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) për t’i udhëhequr kuqezinjtë deri në fund të kualifikimeve për “Euro 2020”.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, së fundmi ishte në Itali, ku e ka takuar sërish ish trajnerin Lazios, Atalantës, Napolit dhe disa klubeve tjera të njohura.
Me këtë rast të dy ata i kanë diskutuar disa detaje të fundit të kontratës dhe thuhet se akordi është arritur dhe mbetet të bëhet vetëm finalizimi i marrëveshjes me nënshkrimin e kontratës në Tiranë brenda pak ditësh.
Disa media në Itali e kanë zbuluar edhe përfitimin financiar që e pret trajnerin 73-vjeç në Shqipëri. Sipas tyre, Reja do të paguhet 250 mijë euro në total për gjithë kohën sa do të punojë në Shqipëri deri në fund të kualifikimeve për “Euro 2020”.
Thuhet se Reja ka kërkuar edhe më shumë para. Por, Duka e ka përdorur opsionin si në rastin e Gianni De Biasit.
Në kontratën që FSHF pritet ta nënshkruajë me Rejan do të vendoset një klauzolë, sipas së cilës, Shqipëria do ta shpërblejë edhe me 200 mijë euro ekstra trajnerin italian në rast se arrin ta kualifikojë Shqipërinë.